Memli Krasniqi u zgjedhë kryetari i ri i Partisë Demokratike të Kosovës, PDK. Krasniqi ishte i vetmi kandidat nga PDK-ja për të marrë drejtimin e partisë, në Konventën e jashtëzakonshme zgjedhore të PDK-së të zhvilluar të shtunën e në të cilën morën pjesë qindra delegatë të partisë, raportoi Koha.net.
Krasniqi do të udhëheqë partinë për dy vjet, pasi dy vjetët e para të mandatit të kryetarit i ka kryer Kadri Veseli.
Pjesëmarrës në procesin e votimit kanë qenë 476 delegatë. Nga ta 7 ishin kundër e një votë ishte abstenim.
Kush është Memli Krasniqi:
Biografia e Memli Krasniqit:
Memli Krasniqi u lind në Mitrovicë më 25 janar 1980. Ai ka përfunduar studimet për Shkenca Politike dhe Administratë Publike në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa ka mbaruar magjistraturën në Marrëdhënie Ndërkombëtare në Shkollën Londineze për Ekonomi dhe Shkenca Politike (LSE).
Në vitet 1999 – 2000 ka punuar si gazetar për agjencinë amerikane të lajmeve Associated Press, ndërsa në vitin 2002 ka qenë Drejtor për Marrëdhënie me Publikun në Qendrën e Telemjekësisë së Kosovës.
Për shumë vite është marrë me muzikë dhe ka punuar në projekte të ndryshme muzikore, kryesisht si tekst-shkrues dhe si anëtar i grupit “Ritmi i Rrugës”.
Nga viti 2004 është angazhuar aktivisht në Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), fillimisht duke drejtuar Qendrën për Studime Politike që ka funksionuar në kuadër të kabinetit të kryetarit të partisë, Hashim Thaçi.
Me krijimin e Kabinetit për Qeverisje të Mirë të PDK-së, Krasniqi u emërua udhëheqës i Departamentit të Rinisë, ndërsa në tetor të vitit 2006 u zgjedh Kryetar i Rinisë Demokratike të Kosovës – subjektit rinor të PDK-së që përfaqëson anëtarët e saj ndërmjet moshave 16 – 30 vjeç. Nga ky pozicion, ai ka qenë edhe anëtar i Kryesisë së PDK-së. Në shkurt të vitit 2013, Krasniqi u zgjedh Nënkryetar i PDK-së për Çështje Organizative dhe të Rinisë.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2007, Memli Krasniqi u zgjedh deputet i Kuvendit të Kosovës dhe ka qenë anëtar i Komisionit Parlamentar për Arsim, Shkencë, Kulturë, Rini dhe Sport. Në tetor të vitit 2008 është emëruar Këshilltar Politik i Kryeministrit dhe Zëdhënës i Qeverisë.
Krasniqi u rizgjedh deputet i Kuvendit të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të vitit 2010, ndërsa është emëruar Ministër në Ministrinë për Kulturë, Rini dhe Sport në shkurt të vitit 2011.
Memli Krasniqi jeton në Prishtinë, me bashkëshorten Melizën dhe fëmijët Borën, Malin dhe Verën.