Kompania “Alba Exotic Fruit”, në konteinerin e së cilës u gjetën të martën 12 kg kokainë në Portin e Durrësit, ka qënë e implikuar edhe në transportin e 137 kilogramëve kokainë, të kapur fillimisht në Portin e Pireut në 2019.
Policia greke pikasi kokainën në 4 konteinerë të “Alba Exotic Fruit” në gusht të 2019, por nuk e sekuestroi; përkundrazi, e zëvendësoi pjesën më të madhe të drogës me oriz.
Më pas, pala greke e nisi me gjurmues drejt destinacionit final, me synim kapjen e pritësve.
Në një operacion të koordinuar mes policise greke, asaj shqiptare dhe DEA-s amerikane, ngarkesa u kap në Portin e Durrësit.
Për rastin, u arrestuan Ardian Begës, punonjës i portit Durrës dhe Altin Myslimhaka, punonjës pastrimi në një anije peshkimi, si dhe u shpall në kërkim, pas arratisjes, Gentian Malindi, pronari i anijes së peshkimit, që ishte pritësi i ngarkesës.
Exit.al ka shkruar edhe më parë për pikëpyetjet e operacionit Quito, dyshimet se pati dekonspirim, ngjashmëritë me aksionin e vitit të shkuar në Maminas, ku u kapën 613 kilogramë kokainë dhe faktin se policia nuk lidhi asnjëherë asnjë bandë apo grup kriminal me këto ngarkesa, por vetëm individë.
Theksi u vu gjithashtu, tek fakti që kompania në fjalë, “Alba Exotic Fruit” nuk u hetua kurrë për rolin e saj në trafikun e narkotikëve, ndryshe nga sa ishte operuar për raste të tjera të ngjashme.
Në një deklaratë, opozita konstatoi se kompania kishte kryer 151 porosi nga i njëjti itenerar, ku policia greke kishte kapur qindra kg kokainë, gjë që duhej të ngjallte dyshime për policinë.
Po ashtu, u konstatua se policia gënjeu në deklaratën fillestare, ku pretendoi se kishte kapur të pandehurin Ardian Bega në kushte flagrance, që u hodh poshtë nga dëshmia e këtij të fundit.
Ndërkohë, pasi SPAK mbylli hetimet dhe kërkoi burg për 3 të pandehurit, Gjykata e Krimeve të Rënda, GJKKO pezulloi para një muaji hetimet ndaj Gentian Malindit, duke cituar faktin se ai gjendej në arrati.