Dëshmia e punonjësit të portit hedh poshtë deklaratat e policisë në operacionin e 137 kilogramëve kokainë

Nga Gerard Gega
Dëshmia e punonjësit të portit hedh poshtë deklaratat e policisë në operacionin e 137 kilogramëve kokainë

Punonjësi i portit të Durrësit, që ndihmoi grupin e Gentian Malindit të nxirrnin 22 pako nga ngarkesa e 137 kilogramëve kokainë, u arrestua në shtëpi 2 orë pas ngjarjes dhe jo në flagrancë sikur pretendoi policia.

Më 27 shtator, policia shqitpare deklaroi se kishte përmbyllur me sukses “Operacionin Quito”, që kishte për qëllim “dorëzimin e kontrolluar te porositësit të 137 kilogramëve kokainë” ndërsa sasia e drogës ishte e gjurmuar dhe zëvendësuar me oriz të bluar.

Operacioni u cilësua i suksesshëm me “arrestimin në flagrancë, në përpjekje për t’u arratisur” të Ardian Begës, punonjës i portit Durrës dhe Altin Myslimhakës, punonjës pastrimi në një anije peshkimi. Flagranca është koncept ligjor që nënkupton “kapjen në akt të të dyshuarve për shkelje të ligjit”.

Policia tha se kishte kryer arrestime të tilla, por nuk tregoi asgjë se si i kishte shpëtuar personi i tretë Gentian Malindi, i dyshuar si kryesori.

Malindi, mendohet se ishte personi që do të tërhiqte sasinë prej 137 kilogramëve kokainë të ardhur me kontenierë bananesh nga Ekuadori.

Një muaj pas vetëm 2 arrestimeve, dëshmia e Ardian Begës, e rrjedhur nga Ora-News, tregon se ai u arrestua në shtëpi dhe jo “në flagrancë në përpjekje për t’u arratisur”.

Sipas dëshmisë së Begës, Malindi e kishte korruptuar me 200 mijë lekë për të ndihmuar Myslimhakën që të hynte pa probleme brenda zonës portuale dhe të merrte disa nga pakot e drogës.

Bega më pas ka qenë në makinë me Myslimhakën dhe Malindin. Këtë të fundit ai e përshkruan dyshues për pakot. Malindi i ka thënë Myslimhakës që t’u shohë ambalazhin pakove dhe t’i shtypë, mënyrë kjo që do të vërtetonte nëse ishin me kokainë apo jo.

Me të kuptuar se droga qe zëvendësuar, Bega dëshmon se “Malindi e dinte se ngarkesa kishte çip” dhe për këtë u ka kërkuar atyre që të mos flasin. Nga dëshmia e rrjedhur prej Ora-News Bega thotë:

“Malindi po ecte (me makinë) shumë shpejt, unë nuk di me detaje çfarë ndodhi më pas sepse isha i tronditur, më kanë lënë diku dhe janë larguar. Kam shkuar në shtëpi dhe dy orë më vonë kanë ardhur policiët që më kanë arrestuar.”

Dëshmia e publikuar nga Ora-News hedh poshtë deklaratat e Policisë se Bega u arrestua në flagrancë dhe ngre edhe më shumë dyshime se si u drejtua “Operacioni Quito”, a u ndoq vërtetë makina e Malindit, si i shpëtoi ai policisë dhe pse ende një muaj më vonë ende nuk është ndaluar.

Exit.al ka shkruar edhe më parë për pikëpyetjet e operacionit Quito, dyshimet se pati dekonspirim, ngjashmëritë me aksionin e vitit të shkuar në Maminas ku u kapën 613 kilogramë kokainë dhe faktin se policia nuk lidhi asnjëherë asnjë bandë apo grup kriminal me këto ngarkesa, por vetëm individë.

Në muajt gusht-shtator autoritetet greke kapën rreth 700 kilogramë kokainë në portet e Pireut dhe Selanikut. Droga qe future në 12 kontenierë bananesh që vinin nga Ekuadori. Nga kjo sasi, 4 kontenierë kishin si destinacion Durrësin dhe mbanin një sasi prej 137 kilogramësh.

Pas kapjes së kësaj sasie, autoritetet greke, ato amerikane dhe shqiptare vendosën të lejonin lëvizjen për në Durrës së sasisë, në mënyrë që të kapnin në vend porositësit e saj.

Mbulimi i gjerë mediatik, dhe rezultati i dobët i autoriteteve shqiptare e greke mund të kenë djegur linjën më të madhe të trafikut të kokainës në Ballkan, pa kuptuar se e kujt ishte dhe çfarë sasie trafikohej.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>