Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion, SPAK ka arrestuar të mërkurën juristin e hipotekës së Durrësit, Mikel Zaho. Ai akuzohet për tjetërsim të një 2000 metra katrorë toke në zonën e Plepave, në kundërshtim me ligjin.
Zaho u arrestua në 2019 për tjetërsimin e 68 mijë metra katrorë tokë në kepin e Rodonit, sëbashku me 20 persona punonjës të hipotekës dhe përfitues të tokës.
Gjykata e Apelit vendosi arrest me burg për të, dhe nuk ka informacion mbi lirimin e tij dhe punësimin sërisht në hipotekën e Durrësit.
Tjetërsimi i 68 mijë metra katrorë tokë në Kepin e Rodonit:
Prokuroria e Durrësit i nisi hetimet në mars 2019, pas një kallëzimi të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë, e cila gjatë një kontrolli të zhvilluar në shtator dhe tetor 2018 kishte gjetur një sërë praktikash regjistrimi në kundërshtim me ligjin.
Hetimi u drejtua nga prokurori Afrim Shehu. Megjithatë, çështja nuk përmban asnjë të dhënë për drejtorin e Kadastrës, Liridon Pula, i cili u arrestua në fillim të tetorit me urdhër të prokurorit Arjan Ndoj – i akuzuar më pas nga krerët më të lartë të ekzekutivit se po punonte për llogari të një “grupi të strukturuar kriminal”.
Prokuroria e Durrësit ka hetuar praktikat e regjistrimit të 7 parcelave të tokës në Bizë me një sipërfaqe totale prej 68 mijë metra katrorë, nga të cilat dyshohet se janë falsifikuar aktet fillestare të fitimit të pronësisë, të njohura si AMTP.
Emrat e 7 banorëve të fshatit Bizë u përdorën si maskim për grabitjen e tokës që ishte në pronësinë e shtetit. Toka rezulton të jetë ndarë në parcela më të vogla dhe përmes kontratave të shkëmbimit apo shit-blerjes u është shitur personave të tretë në vlera të konsiderueshme.
Për këte hetim u arrestua 20 persona, ndër to dhe drejtuesi i Hipotekës.