Kryeministri Edi Rama i bëri sot një thirrje publike Kryetarit të PD-së Lulzim Basha, ku thekson edhe një herë se do të mbështesi çdo propozim të PD-së, i cili do të ketë mbështetjen e SHBA-ve dhe BE-së. Kryeministri shtoi se pengesa e fundit e PD-së se përfshirja e ndërkombëtarve në proces shkel sovranitetit e vendit është e tepërt dhe vetëndëshkuese.
Ajo që vihet re është se toni i përdorur nga Kryeministri është serioz, dashamirës dhe larg talljeve, qësëndisjeve, kërcënimeve që ka përdorur në të shkuarën.
Më poshtë disa nga deklaratat kryesore të Kryeministrit Rama:
- Propozimin Tuaj të fundit ata [partnerët ndërkombëtarë] e kanë rrëzuar edhe publikisht, mbetem me padurim në pritje të një reagimi konstruktiv nga ana Juaj.
- Natyrisht, çdo propozim duhet të jetë i pranueshëm për aleatët tanë strategjike, SHBA/BE.
- Pengesa Juaj e fundit se shkelja e sovranitetit tonë kushtetues për shkak të mënyrës së përfshirjes së ndërkombëtareve në procesin e vetingut, është vërtet e tepërt dhe plotësisht vetëndëshkuese.
- Nuk do të ndodhte kurrë që bota demokratike të shënjestronte opozitën këtu, në vendin tonë të vogël, përmes zërave më autoritarë të saj, nëse rëndësia Reformës në Drejtësi nuk do të ishte e jashtëzakonshme dhe jo vetëm për Shqipërinë në vetvete, po edhe për Shqipërinë si një vend aktualisht joproblematik i Ballkanit Perëndimor.
- S’ka hije dyshimi për mua, se ky angazhim i paprecedent i partnerëve tanë në këtë proces, është edhe një çështje e forcimit të mëtejshëm të ligjshmërisë në Shqipëri, si një element që rrit qendrueshmërinë demokratike të shtetit tonë në funksion të rritjes së sigurisë së vendit e të vetë rajonit ku jetojmë.
- Rrezikojmë të humbasim në shumë drejtime si vend dhe si popull, nëse nuk e kalojmë Reformën në Drejtësi, është vërtet jashtëzakonisht shumë!
- Ne nuk duhet ta lejojmë kurrësesi që Shqipëria të turpërohet botërisht, si vendi ku Kuvendi nuk kaloi reformën në drejtësi sepse deputetët nuk donin përfshirjen reale të partnerëve të vendit tonë, në procesin e pastrimit të sistemit të drejtësisë nga gjykatësit e prokurorët e korruptuar!
- Kjo është një nga ato njolla që nuk hiqen për një kohë shumë të gjatë ndërkombëtarisht dhe që kushtëzojnë cilësinë e marrëdhënieve më të rëndësishme ndërkombëtare të vendit.