Numri i policëve të dyshuar për lidhje me kultivimin e kanabisit, sipas raportit më të fundit të Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave është dyfishuar.
Në 2019 u arrestuan 15 policë për lidhje me kultivimin e kanabisti ndërsa në 2020 janë arrestuar 30.
Policët janë përfshirë edhe në trafikun e drogave të forta. Rasti më i fundit është 27-vjeçari Rael Luli, pjesë e forcave RENEA. Ai u arrestua të martën pasi dyshohet se shfrytëzonte pozicionin e tij për të lëvizur lirshëm e për t’iu shmangur kontrolleve gjatë shpërndarjes së kokainës, së bashku me 4 të rinj të tjerë, në disa zona në Tiranë.
Dy muaj më parë u arrestua për shpërndarje kokaine polici i ‘Shqiponjave’ të Sarandës Lavdosh Metaj, ndërsa në korrik për të njëjtën akuzë përfundoi në pranga, oficeri i komisariatit nr. 2 në Tiranë Elefterios Sullaj.
Gjatë vitit 2020, 45 policë u arrestuan për korrupsion sipas raportit të SHÇBA, ndërsa 24 raste po hetohen në bashkëpunim me SPAK-un.