Si një tregtar në ujra të këqia që blen makinë të re për t’i treguar drejtorit të bankës të cilës i ka borxhe se punët i shkojnë mirë, ashtu edhe udhëheqësi “hileqar” shpalos në publik ndonjë projekt të madh sa herë që qeverisja i shkon keq. Sa më i madh të duket projekti në kosto dhe sa më i ndërlikuar teknikisht aq më shumë mund ta ndezë fantazinë e shtypit dhe largojë vëmendjen nga problemet e vërteta.
Historia e politikës dhe ekonomisë publike është e mbushur me “projekte të mëdha”—ura, tunele, diga, etj—të perceptuara si sfida madhore teknike dhe ekonomike, që janë hidhen e rihidhen në publik nga politikanë në vështirësi ose në nevojë për mbështetje publike apo thjesht për të ndryshuar diskutimin ose për të thirrur në lojë instiktet nacionaliste.
Ndodh që ndonjë projekt i tillë arrin të realizohet, natyrisht duke shkaktuar një “kasaphanë” në financat publike, siç është rastin i tunelit hekurudhor nën La Mansh, një nga dështimet më të mëdha ekonomike të historisë së sotme.
Në Shqipëri në këtë kategori futen tuneli i ashtuquajtur i Majkos, nën ngushticën e Otrantos për lidhjen e Italisë dhe Shqipërisë; rruga e Kombit—e nisur ngathtazi, përsëri nga Majko, me ekskavatorë të ushtrisë; centrali bërthamor i Berishës; hidrocentrali i madh i Skavicës; dhe portet gjigande në ujrat e thella në Vlorë apo Kavajë. Përpara të gjitha këtyre dhe parësor për nga karakteristikat “politike” ndërkombëtare, është projekti i ujësjellëstit nënujor Shqipëri-Itali, i cili vazhdon të rishfaqet rregullisht që prej vitit 1991, i propozuar kryesisht nga lobistët puliezë.
Gjurma e parë institucionale e projektit gjendet në një projektligj, “Norma për realizimin dhe administrimin e një ujësjellësi nënujor ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë”, të paraqitur nga 19 deputetë në Dhomën italiane të Deputetëve më 30 qershor 1992.
Relacioni i projektligjit—i cili është shumë i detajuar teknikisht deri në parashikimin edhe të teknikës së shtrirjes së tubave nën ujë—informon se puna përgatitore për projektin kishte filluar që në vitin 1991 nga “Partneriteti për ujesjellësin Shqipëri-Itali”, një bashkim interesash mes kompanisë shtetërore IRI dhe disa kompanive private italiane.
Projekti parashikonte marrjen e rreth 4,5 metrave kub ujë të pijshëm në sekondë nga burimi i Syrit të Klatër pranë Sarandës, nga rreth 18 metra kub që është prurja totale e këtij burimi. Projekti parashikonte pompimin në rrugë tokësore të ujit deri në Vlorë, duke furnizuar me ujë rreth 11 mijë banorë dhe 150 mijë shtretër turistik që kishte në atë kohë bregdeti jonian nga Sarandë në Vlorë, për të vazhduar më pas nën det për rreth 85 kilometra, për të mbërritur në Torre Spechia në Salento ku do t’i bashkohej rrjetit të ujësjellësit të Pulias.
Investimi i parashikuar vlerësohej në 930 miliardë lira, mbi 800 milionë dollarë të asaj kohe—një shumë e stërmadhe, një mundësi e madhe biznesi që josh shumë kompani dhe shumë ndërmjetës italianë, të gjithë në kërkim të kontratave apo komisioneve të tyre.
Në aktet e Komisionit të Madh të Përbashkët ndërmjet qeverisë shqiptare dhe asaj italiane më 17 dhe 18 nentor të 1992, firmosur për palën shqiptare Ministri i Punëve të Jashtme Alfred Serreqi, flitet për rëndësinë e ujësjellësit nënujor dhe përkushtimit të të dy qeverive për ta bërë të mundur.
Por Berisha nuk e beson, ndërsa Italia përmbytet nga seria e skandaleve të korrupsionit, të njohura si Tangetopoli, dhe askush nuk mundej më të miratonte një projekt të tillë pa u bërë objekt hetimesh të mëtejshme. Andaj, projekti u la në harresë deri në krizën e piramidave, edhe pse në vitin 1995 ujësjellësi puliez i paraqiti një kërkesë formale qeverisë shqiptare.
Më 18 dhjetor 1997, Ministri italian i Punëve të Jashtme Lamberto Dini firmosi, gjatë një vizite në Tiranë, shprehjen e interesit “për realizimin e një ujësjellësi prej 85 kilometrash ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë: inisiativa, me një kosto prej dy mijë miliardë lireta, që do të mundësonte krijimin e vendeve të punës në Shqipëri dhe do të furnizonte me ujë Pulian”.
Është me interes të vihet re se, në një hark kohor pesë vjeçar, kostoja e parashikuar e veprës u dyfishua nga 930 miliardë lireta në 2 mijë miliardë lireta, por duke parë situatën e Shqipërisë në atë kohë, pala shqiptare do të përfitonte shumë pak nga ky investim.
Siç ndodh shpesh, në çdo projekt ka nga ata që mbeten pa përfituar nga torta, prandaj më 1998 Nënsekretari i Punëve Publike, Gianni Mattioli, kryetari i Partisë së Gjelbër, i pari përfaqësues i kësaj partie që hyri në një qeveri, deklaroi se “do të bllokojë edhe ujësjellësin Pulia-Shqipëri, sepse është një inisiativë e që përtej aspekteve shumë të rënda ekologjike ka karakter imperialist”.
Në dhjetor 2000, rihedhja në publik e projektit i takoi Ministrit Italian të industrisë Enricco Letta i cili ia propozoi projektin kryeministrit të atëhershëm Ilir Meta. Në atë periudhë, gjigandi italian i energjisë Enel po hynte në sektorin e ujit të pijshëm me filialin e tij Enel Hydro dhe po negocionte për të blerë Ujësjellësin e Puglias, i cili me ndërtimin e ujësjellësit nënujor të Shqipërisë mund të përfitonte miliarda.
Enel nëpërmjet disa projekteve të ndryshme të ndihmës për KESH-in (të gjitha të paguara nga qeveria italiane) po përpiqej të forconte edhe peshën politike të kompanisë në Shqipëri.
Në qershor 2002 i erdhi rradha ta provonte Fatmir Xhafës, atëherë Ministër i Turizmit dhe Territorit, i cili ndoshta për të falenderuar Fatos Nanon e rizgjehdur Kryeministër, lajmëroi se kishte marrë miratimin e Këshillit Kombëtar për Ujërat dhe kishte nisur negociatat me palën italiane.
Më 23 tetor 2002 i erdhi rradha Berlusconit me rastin e vizitës së tij në Tiranë, i cili i shtyrë edhe nga entuziami i tij i papërmbajtëshëm për projekte të mëdha, propozoi sërisht projektin e ujësjellësit nënujor, tashmë të mishëruar në një marrëveshje dypalëshe “Ujë në këmbim të energjisë” të negociuar një muaj më parë në Romë.
Por strategjia e Enelit në sektorin e ujit të pijshëm u zvenit me shitjen e Enel Hydro-s tek kompania franceze Veoilia, në fund të vititi 2004.
Në vitin 2005 në qeveri vjen Sali Berisha, i cili nuk e ka mbështetur asnjëherë këtë projekt, dhe kështu historia e ujësjellësit nënujor u zhduk. Në vitin 2007 skadoi afati i marrëveshjes së vitit 1991 “Partneriteti për ujësjellësin Shqipëri-Itali” mes disa kompanive italiane dhe partneriteti mes tyre u likujdua ligjërisht.
Në vitin 2007, Bashkëpunimi Italian për Zhvillim caktoi gati 800 mijë euro nëpërmjet BERZH-it për Ministrinë e Transporteve për realizimin e një studimi mbi burimet ujore në Jug të Shqipërisë, për të përcaktuar konsumin e programuar të ujit në zonën bregdetare dhe mundësitë e shitjes së pjesës së mbetur në vendet kufitare, si dhe përcaktimin e investimeve në infrastrukturën e nevojshme për arritjen e këtij qëllimi.
Ishte një përpjekje e fundit e dëshpëruar për të rihedhur në lojë një projekt gjithmonë e më pak të besueshëm: studimi nuk gëzoi askënd por paratë u harxhuan njësoj.
Më kot, më 19 shtator 2007, deputeti i Forza Italia dhe ish-Kryebashkiaku i Barit, Di Cagno Abbrescia paraqiti një projektligj “Dispozita në lidhje më realizimin dhe menaxhimin e një ujësjellësi nënujor ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë”, i cili parashikonte realizimin e investimit me fonde pjesërisht publike në pagesa shumëvjeçare nga shteti italian për rreth 850 milionë euro. Projektligji nuk u diskutua asnjëherë as në komisionin parlamentar.
Sikurse theksuam projekti i ujësjellësit nënujor nuk pati asnjëherë mbështetjen e Berishës ndaj u desh të vinin në pushtet socialistët për ta rihedhur atë sërish në lojë.
Pas shumë vitesh heshtje, si për çudi, më 16 shkurt 2015, një projekt ligj i ri u paraqit në Dhomën e Deputetëve të Italisë: Roberto Marti i Forza Italia, sigurisht nga Leçe, paraqiti projektligjin e inisiativës parlamentare C2882, të titulluar edhe një herë “dispozita në lidhje me realizimin dhe administrimin e një ujësjellësi nënujorë ndërmjet Shqipërisë dhe Italisë”. Ky projektligj nuk është shqyrtuar asnjëherë.
Mesa duket lobi puliez ishte i vendosur të riprovonte me të gjitha përpjekjet e mundshme—në shtator të 2015 u ftua në Panairin e Barit Kryeministri Rama, i cili me atë rast, me bekimin e d’Alemës, mbrojtësi i vërtetë i interesave pulieze, takoi Presidentin e Rajonit të Pulias Michelle Emiliano. Në këtë takim ata shpallën një projekt të përbashkët mes Ujësjellësit të Pulias dhe Ndërmarrjes së Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës (UKT) për administrimin e përbashkët të ujësjellësave shqiptarë, si dhe qëllimin për realizimin e ujësjellësit legjendar nënujor.
Pas disa muajsh, më 12 nëntor 2015, Presidenti i Pulias Emiliano erdhi në Tiranë ku u takua me Kryeministrin Rama dhe firmosi me Kryebashkiakun e Tiranës Veliaj një memorandum, sipas të cilit Ujësjellësi publik i Pulias, pasi të kryejë një audit teknik dhe administrativ të UKT-së, do të ofrojë dijen inxhinjerike dhe administrative për ta ristrukturuar dhe bërë atë më efikas. Pastaj do të vijë hapi tjetër i krijimit të një shoqërie të përbashkët mes Bashkisë Tiranë dhe Rajonit të Pulias.
Pas 25 vjetësh lobim, tre projekligjesh në parlamentin italian dhe shumë kryeministrash italianë e shqiptarë, pas shumë udhëtimesh, misionesh dhe takimesh politike, ujësjellësi mitik e tashmë legjendar mes Shqipërisë dhe Pulias, më në fund, duhet të jetë aty, brenda atyre marrëveshjeve të Kryeministrit Rama me Presidentin e Pulias Emiliano, ose aty afër. Konjuktura politike është në favor të barezëve, pasi edhe në Shqipëri të gjithë pushtetarët janë të së majtës; paratë në fakt nuk janë, por për këtë do të mendojnë më vonë.
Ndërkohë, ne nuk kemi lënë centimetër të bregdetit jonian pa shfrytëzuar dhe ujin e Syrit të Kaltër vazhdojmë ta hedhim në det, por puliezët e shkretë që kishin kaq shumë nevojë, çfarë uji do të kenë pirë vallë këto 25 vjet?