Kryetari i Partisë Demorkatike Lulzim Basha bisedoi dje në mbrëmje me gazetarin Sokol Balla, në emisionin Top Story.
Zoti Basha foli për nevojën e reformimit të partive politike e qeverisjes dhe shpjegoi se cilat do të jenë disa nga ndryshimet që PD po ndërmerr për t’u hapur më shumë ndaj qytetarëve.
Për hapjen enegociatave me Bashkimin Evropian
- Qëndrimi i PD është i qartë, do të mbështesim pa rezerva çdo hap që çon në integrimin europian të vendit.
- PD ka mbajtur qëndrimin si opozitë dhe për rekomandimin jemi pro, por nuk jemi ne ata që e vendosim. Nëse do të ishte në dorën time, do ta firmosja që sonte.
Për Qeverinë Rama
- Nëse populli është i mërzitur me qeverinë, nuk duhet të largohet populli siç ndodh këtu por duhet të largohet qeveria.
- Shqiptarët e ndershëm dhe punëtorë po ikin sepse po shpërblehet krimineli dhe i korruptuari.
- Sot e gjithë Shqipëria punon për një pakicë që po pasurohet në mënyrë marramendëse. Sot ekonomia e Shqipërisë mbahet peng nga një grusht qeveritarësh dhe oligarkësh.
- Kryeministri Rama ka në dorë me ligj të shkarkojë Elvis Rroshin që rezulton i dënuar për përdhunim në grup në Itali dhe për trafik droge në Zvicër. Ka në dorë të largojë një numër anëtarësh nga grupi i tij parlamentar të verifikuar për një sërë shkeljesh.
- Ligji për dekriminalizimin nuk po zbatohet sepse janë dhjetra persona, shtyllë e një pushtetit të kriminalizuar. Jetojmë në një Shqipëri ku krimi, droga dhe politika janë bërë njësh kundër qytetarëve shqiptarë dhe ky është një problem që nuk mund të mbyllim sytë ne.
- Për shkak të fitimeve nga kanabisi, krimi i organizuar sot ka më shumë fonde se policia, ushtria dhe shërbimet sekrete të vendit të marra së bashku. Kanabisi po prodhon miliarda euro financim për krimin e organizuar.
- Janë disa arsye pse Edi Rama nuk mund të jetë kryeministri që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme. Detyra ime është të ndërgjegjësoj sa më shumë shqiptarë që kjo nuk ka të bëjë thjeshtë me ambiciet e Lulzim Bashës dhe PD, por ka të bëjë me fatet e tyre.
Për reformimin e Partisë Demokratike
- Sot në Shqipëri partitë janë problemi, janë peng i kryetarëve. Partitë dhe mënyra sesi është ndërtuar politika është kthyer në problemin e shqiptarëve. Unë do të filloj duke ndryshuar Partinë Demokratike.
- Jam i vendosur që të eci në rrugën e vlerave dhe PD do të jetë partia e parë që do të aplikojë parimin “një anëtar, një votë” edhe për kandidatët për deputetë.
- Do të propozoj që zgjedhjet për kryetarin e PD-së të bëhen çdo dy vjet, për t’u dhënë mundësi të gjithëve të krijojnë alternativa dhe ta konkurojnë.
- Do të hapim partinë për më të talentuarit në mënyrë që të vijnë e të kandidojnë për deputet, por edhe të më zëvendësojnë mua si kryetar. Do e bëjmë këtë duke strukturuar rregullat e konkurencës brenda partisë.
- Dy arsyet duhet të më besojnë, sepse pranoj gabimet që kemi bërë dhe vizioni që shpalos këtu dhe që po shpalos në gjithë Shqipërinë është vizioni që të arrijmë në një Shqipëri që ofron mundësi për të gjithë duke shpërblyer punën, talentin dhe meritën.
- Duke ndryshuar Partinë Demokratike sot, nesër do ndryshojmë gjithë Shqipërinë.