Një exit për Bypass-in e Gjirokastrës

Nga Artan Rama
Një exit për Bypass-in e Gjirokastrës

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë të Gjirokastrës vendosi të shfuqizojë një urdhër të Ministrit të Kulturës që u hiqte statusin monument kulture kategoria II, dy banesave në brendësi të qendrës historike të qytetit!

Urdhëri pasonte një vendim të Këshillit Kombëtar të Restaurimeve në shtator 2016, i cili propozonte heqjen e statusit për banesën e Koço Spirit dhe të Harrillaq Papazisit, në lagjen më të vjetër të qytetit, “Pazari i Vjetër”. Jo rastësisht brenda të njëjtit vendim, KKR-ja kishte miratuar projektin e Bypass-it, të studios projektuese “Atelier 4”.

Kjo sepse Ministria e Kulturës, autoriteti porositës, kishte miratuar “Variantin 2” të gjurmës së rrugës, realizimi i së cilës kërkonte pashmangshmërisht prishjen e këtyre dy banesave. Kësisoj, shfuqizimi prej Gjykatës për mosprishjen e banesave nuk lejon fillimin e punimeve për zbatimin e Bypass-it.

Por ndërkohë, Ministria si palë e paditur, vendosi çuditërisht të mos apelojë, kështu vendimi për mosprishjen mbetet përfundimtar, gjë që e bën praktikisht të pamundur ndërtimin e Bypass-it, të paktën sipas variantit të miratuar.

Në të vërtetë ekzistonin edhe dy variante tjera ku prishja e banesave shmangej, por ato u anashkaluan për shkak të impakteve të larta mjedisore dhe kostove shtesë. Sidoqoftë rikthimi i tyre në tavolinë, ndonëse i dëshirueshëm për autoritetin, mund ta shndërronte rezistencën e kundërshtarëve të këtij projekti brenda komunitetit gjirokastrit, por dhe më gjerë, në një zemërim popullor.

Ndaj deri tani, ky vendim është së pari, një fitore për Harillaq Papazisin dhe Florika Spirin, shtëpitë e të cilëve, të lëna trashëgim prej paraardhësve u rrezikuan “për shkak të një vendimi në kundërshtim me  kufinjtë dhe përmbajtjen e ligjit” dhe “pa një vlerësim prej një organi të specializuar (Instituti i Monumenteve të Kulturës)”.

“Vetë KKR-ja, përfundoi Gjykata, nuk ka asnjë kompetencë për të vlerësuar objektet e trashëgimisë kulturore”.

“Është një lehtësim për familjen time, fakti që shtëpia e trashëguar në shekuj u rikthye monument kulture duke rivendosur në vend, një të drejtë e cila cënua, përmes një vendimi të kundraligjshëm”, shprehet Elidoni, djali i Harillaq Papazisit.

Por ky vendim është së dyti dhe një fitore për Forumin për Mbrojtjen e Vlerave të Gjirokastrës që e kundërshtojnë ndërhyrjen për ndëtimin e një bypass-i në Qendrën Historike, si të rrezikshme për themelet e Kalasë dhe me ndikim negativ në mjedisin e gjelbër dhe në peizazhin e jashtëzakonshëm unik të qytetit.

Por përpos fitoreve, mosprishja e monumenteve dhe ndalimi i Bypass-it, përcjell disa leksione edhe për autoritetin shtetëror.

Së pari, mbrojtja apo rijetëzimit i qytetit do të realizohet vetëm përmes pjesëmarrjes së banorëve vendas në një diskutim publik dhe jo përmes shpërfilljes dhe arrogancës së pushtetit në distancë.

Së dyti, vendimi që ka dhënë Gjykata, më shumë se një zgjidhje në favor të palës paditëse tregon se organet të cilat duhet t’i mbrojnë monumentet me ligj, i zhdukin ato, përmes veprimeve të kundraligjshme.

Sipas arsyetimit të vendimit të dhënë nga kjo Gjykatë, as Ministri i Kulturës, por as KKR-ja nuk e kanë kompetencën për të vlerësuar objektet historiko-arkitekturore. Këtë vlerësim e bën, së pari Instituti i Monumenteve.

Dhe nëse kthehemi pak në kohë e gjykojmë me të njëjtat parametra vendimin e shkuar KKR-së, “Për heqjen e statusit monument kulture kategoria II të Stadiumit Kombëtar “Qemal Stafa” në Sheshin Nënë Tereza, atëherë ai vendim, sipas arsyetimit të sotëm të dhënë në Gjykatë, rezulton një akt i kundraligjshëm!

Dhe së treti, falë këtij vendimi, qeveria shqiptare i ka të gjitha mundësitë për një tërheqje, ndonëse të palavdishme, të justifikuar. Kështu, ajo mund të shmangë edhe përgjegjësinë për shpërdorimin e panevojshëm të shumës prej 18 milionë lekësh, si shpenzim i tenderit për hartimin e projektit të dështuar të Bypass-it, së bashku me bonusin prej 30 mijë eurosh që u premtua për studion fituese.

Dhe të përpiqet (nën frymën e projektligjit të ri) të  kërkojë zgjidhje të tjera, nëpërmjet një bashkëpunimi me komunitetin vendas, të cilin pretendon se e ka në krah.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>