Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Marrëdhëniet me Jashtë Federica Mogherini zhvilloi dje një mbledhje joformale me Kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, Kosovën dhe Maqedoninë, të cilat deri dje ishin në një krizë të thellë politike.
Kujtojmë se BE luajti rol kryesor në zgjidhjen e krizave në këto vende. Në Shqipëri, BE nën të ashtuquajturën marrëveshje McAllister, e cila më pas u pranua nën presion amerikan, i dha fund bojkotit të zgjedhjeve parlamentare nga opozita, duke zgjidhur në ketë mënyrë krizën tre mujore politike në vend.
Mogherini ftoi Kryeministrin e Malit të Zi, të Kosovës të Shqipërisë, të Serbisë, të Maqedonisë dhe Kryetarin e Këshillit të Ministrave të Bosnje-Hercegovinës Denis Zvizdic për të diskutuar për të ardhmen e marrëdhënieve të rajonit me BE-në.
Sipas njoftimit për shtyp të Zyrës Rajonale të Sigurisë (EEAS) e Shërbimit të Veprimit të Jashtëm Evropian thuhet se:
Të gjithë të pranishmit shprehën vendosjen e tyre për të punuar në procesin e Integrimit Evropian sikurse u parashikua edhe nga Këshilli i Evropës në Mars të vitit 2017.
Ato përsëritën vendosshmërinë e tyre dhe ndanë interesin e fortë në forcimin e bashkëpunimit dhe arritjen e rezultateve të prekshme për qytetarët e rajonit.
Ato theksuan angazhimin e tyre për ruajtjen e marrëdhënieve të mira të fqinjësisë dhe thellimin e mirëkuptimit rajonal, përmes respektit reciprok dhe bashkëpunimit.
Përfaqësuesja e lartë/ Zëvendës Presidentja Mogherini i inkurajoi të gjashtë kryeministrat të përshpejtojnë punën e nevojshme për të plotësuar pritshmëritë e qytetarëve të tyre dhe të afrohen me të ardhmen e tyre në Bashkimin Evropian.
Mogherini zhvilloi edhe një takim dypalësh me Kryeministrin Edi Rama.