Rama: LSI si me PD, si me PS nuk mban asnjëherë përgjegjësi – Pikat kryesore të intervistës

Rama: LSI si me PD, si me PS nuk mban asnjëherë përgjegjësi – Pikat kryesore të intervistës

Kryeministri Edi Rama bisedoi dje në mbrëmje me gazetarin Blendi Fevziu. Gjatë bisedës pati debate të forta për mbarëvajtjen e ekonomisë gjatë Qeverisë Rama dhe për marrëveshjen Rama-Basha.

Kryeministri Rama nuk kurseu dhe ofendimet ndaj Zotit Fevziu. Ofendimet ndaj gazetarëve janë kthyer në një veprimtari të zakonshme të Kryeministrit Rama.

“Bëra gabim që nuk të thashë të pije vaj peshku para se të vija këtu se të zuri kapsllëku,” ju drejtua Kryeminsitri Rama gazetarit Fevziu, kur ky i fundi e pyeti për borxhin publik.

Duke iu përgjigjur pyetjes së Blendi Fevziut se nëse kryeministri do ta pranonte ftesën e kreut të PD-së Basha për debat televiziv, Zoti Rama u përgjigj:

“Debatet unë i bëj me ty. Ti je përfaqësues i kontinuitetit. Je Saliu dhe Luli bashkë. Debati është kërkesë e një politikani që s’ka asgjë për të humbur dhe kapet pas debatit për të fituar ndonjë gjë.”

Disa nga deklaratat kryesore të Zotit Rama janë:

Për marrëveshjen Rama-Basha:

“[Nëse nuk do të shkoja në takim] po mendoja se të nesërmen do të më nxirrnin mua dhe PS-në delen e zezë, ndaj thashë po shkoj.”

“Kërkova takim kokë më kokë me atë zotërinë [Lulzim Bashën]. Kisha vajtur i vendosur të mos e lija këtë njeri të diltë pa marrëveshje.”

“[Me LSI-në] nuk kisha çfarë të konsultojë sepse Ilir Meta dhe LSI-ja kishin një muaj që predikonin se tërheqja nga pozicionet ishte në të mirë të vendit.”

“Nuk mund ta jepja vetë dorëheqjen pasi kam një kontratë me një milion njerëz që më kanë besuar votën.”

“Në rast se 25 qershori do të zgjedhë PS-në në krye të qeverisë ata s’do të jenë më ministra teknikë.”

Për fushatën elektorale:

“Duam që njerëzit të na besojnë një mandat të plotë. Synojmë të kemi pavarësi në timonin e qeverisjes dhe pastaj se kush janë bashkëudhëtarët kjo i takon 26 qershorit.”

“Ne jemi të fokusuar të marrim votat tona për të mos patur duar të tjera në timon që ulin shpejtësinë, bëjnë devijime.”

Për zgjedhjen e Ilir Metës President dhe LSI-në:

“Është zgjedhja e një individi i cili është përfaqësues i një force politike të votuar nga shqiptarët në Parlament dhe i cili përfaqëson si askush tjetër Partinë Demokratike pa qenë anëtarë i Partisë Demokratike. Një figurë me eksperencë, kryetar i Kuvendit.”

“Një problem kam unë me LSI-në: LSI është në qeveri me PD, pastaj me PS. Kur vjen puna se çfarë nuk shkon, “e ka fajin i madhi”. Po LSI çfarë bën në qeveri?!”

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>