Ish- kryeministri Sali Berisha votoi në garën për kryetarin e Partisë Demokratike dhe bëri për herë të parë komente për garën brenda në parti.
Zoti Berisha e cilësoi procesin e garës statutorë. Ai u shpreh se “Kryesia e Partisë Demokratike vendosi që zgjedhjet të zhvillohen sot, në këtë kontekst konsideroj se procesi, në vlerësimin tim është zhvilluar në përputhje me statutin e Partisë Demokratike”.
Ish –kryeministri shtoi se “Nuk kam ardhë sot këtu as për Bashën as për Selamin por për statutin e Partisë Demokratike si anëtar i saj. Nëse statuti është shkelur nuk do të kisha ardhur”.
Zoti Berisha iu përgjigj indirekt edhe kritikëve të Zotit Lulzim Basha duke u shprehur se:
“Uroj që në këtë vorbull kundërshtirash të bëhen të gjitha përpjekjet në radhë të parë nga ai që do të dalë kryetar i Partisë Demokratike. Nuk ka humbje fatale nëse nuk e bënë ti vetë fatale.
Sikundër po kaq fatale është dehja në humbje. Duke u zhveshur nga emocionet do të gjindet mençuria, do të gjindet vullneti, përkushtimi për një strategji të re fitimtare të Partisë Demokratike. E cila përsëri të rikthej besimin tek elektorati i saj dhe shqiptarët, se në fakt e meritojnë.”
“PD është në vështirësi serioze. Ka pësuar humbjen më të thellë në historinë e saj”, — tha Zoti Berisha për humbjen e zgjedhjeve më 25 qershor.
Më pas, ai i bëri thirrje për ndërtimin e një strategjie të re fitoreje e cila të kalojë përmes bashkimit dhe të sjellë Partinë Demokratike në pushtet zgjedhjet e ardhshme.
“Humbjet janë hidhura, të thella, humbjet fatale i bënë vetë me dorën tënde. Ndaj ftoj që çdo njeri që e do këtë parti, çdo anëtar të punoj më përkushtim për një strategji të re e cila e kthen Partinë Demokratike në forcë të sigurtë të pushtetit të ardhshëm. Kjo strategji është e mundshme dhe kalon përmes bashkimit”, – u shpreh në fund të komentit te tij Zoti Berisha.