Zëvendëspresidenti i SHBA-ve Mike Pence rikonfirmoi sot mbështetjen e Amerikës për vendet e Ballkanit. Në fjalimin e tij në Samitin e Kartës së Adriatikut që po zhvillohet sot në Podgoricë, Mike Pence deklaroi:
“Me presidentin Donald Trump, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vijojnë të mbështesin secilin nga ju, në mënyrë që të shkojmë drejt së ardhmes bashkë.”
Zëvendëspresidenti i kërkoi liderëve të Ballkanit të bashkëpunojnë me shumë me njëri-tjetrin dhe me Perëndimin:
“Mbyllini çështjet e papërfunduara në Ballkanin Perëndimor dhe përfundoni udhëtimin që ne nisëm bashkë shumë vite më parë.”
Në fjalën e tij, Pence foli edhe për përpjekjet e Shqipërisë, Kosovës dhe Maqedonisë për luftën ndaj terrorizmit islamik. Ai tha se:
“Terrorizmi është kërcënim për të gjithë ne, për vendet e Ballkanit Perëndimorë, për Evropën Perëndimore dhe për SHBA-të.
Jo më shumë se një vit më parë shumë nga vendet e këtu përçanë planet e ISIS për sulme të koordinuara në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni”.
Zëvendëspresidenti Pence gjatë Samitit, përveç takimeve të punës me të gjithë përfaqësuesit e vendeve anëtare, zhvilloi edhe takime dypalëshe me krerët e vendeve anëtare të Malit të Zi, të Kosovës, të Maqedonisë, të Serbisë, Kroacisë. Edhe Kryeministri Edi Rama lajmëroi në faqen e tij në Facebook për zhvillimin e një takimi dypalësh me Zv/Presidentin Pence.
Karta e Adriatikut është një marrëveshje e krijuar nga SHBA-të në vitin 2003 me qëllim përgatitjen e vendeve të Ballkanit Perëndimorë për tu bërë pjesë e NATO-s. Në kartën e Adriatikut janë anëtarësuar pesë vende si Kroacia, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi dhe Bosnje – Hercegovina. Ndërsa Serbia, Kosova dhe Sllovenia kanë statusin e vendeve vëzhguese.
Në samitin e këtij viti, i cili organizohet nga Mali i Zi dhe Maqedonia, nga Shqipëria merr pjesë Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati.