Revista Monitor publikoi para pak ditësh një të dhënë interesante që përshkruan natyrën e vërtet të rritjes së ekonomisë të Shqipërisë, aq shumë të reklamuar nga qeveria.
Në vitin 2016, në Shqipëri janë regjistruar 2545 makina të reja, me rritje prej rreth 40 për qind në krahasim me vitin e shkuar.
Në fakt numri i makinave të reja është qesharak, krahasuar me flotën që qarkullon në Shqipëri, e cila vlerësohet në rreth 300 mijë makina. Pra, norma e regjistrimit të makinave të reja është më e vogël se një për qind e flotës ekzistuese, sikur një makinë të jetonte 100 vjet.
Ndër kompanitë me rritje të numrit të regjistrimit është Auto Star, përfaqësuesi zyrtar i Mercedes-Benz, me selinë e saj luksoze të rinovuar rishtasi në autostradë. Kjo kompani ka regjistruar 139 makina të reja në vitin 2016, kundrejt 73 makinave të regjistruara në vitin 2015, duke shënuar kështu rritje prej 90 për qind.
Faturimi i vjetor i Auto Star për vitin 2016 ishte rreth 13 milionë euro, që do të thotë se për çdo makinë të re të shitur, Auto Star faturon rreth 92 mijë euro (përfshi këtu edhe servisin e makinave të shitura).
Kjo shifër zbret në 81 mijë euro për kompaninë Mektrin Motor, përfaqësuesi i Ranger Rover, për të kaluar në 29 mijë euro për kompaninë Albanian Motor Company, përfaqësuesi i Ford, dhe në 25 mijë euro për Porche Albania (Audi, Skoda, Wolfswagen, etj) që regjistrojnë rritje më të vogël të regjistrimit të makinave të reja.
Për ta përmbledhur, në vitin 2016, të ardhurat nga shitja e makinave të reja janë rritur më shumë për makinat e luksit, por në numër makinat luksoze janë shtuar vetëm me disa dhjetëra: vetëm oligarkët mund të ndryshojnë makinë.