– Shprehja hipokrite ‘le t’ia lëmë drejtësisë’.
– Drejtësia s’mund të japë drejtësi!
– Ka rënë shteti, ka rënë drejtësia!
– Të ikë qeveria!
Kush i ka bërë këto thirrje? Lulzim Basha?
Jo, Edi Rama.
Janë deklaratat e Edi Ramës në janar 2011, menjëherë pas bërjes publike të videos të regjistruar fshehtazi nga ish-ministri Dritan Prifti, ku shfaqej Ilir Meta, atëherë ish-zëvendëskryeministër, duke folur për afera korruptive dhe favorizim kompanish në tendera publikë.
Më 14 janar 2011 Edi Rama nuk kishte asnjë dyshim që çdo gjë që u shfaq në video, e cila ishte regjistruar joligjërisht dhe u transmetua dillimisht nga një stacion privat televiziv, ishte e vërtetë dhe e qartë për çdo shqiptar. Atëherë, ai mendonte se shprehja ‘le t’ia lemë drejtësisë’ është shprehje hipokrite që nuk mund të mbulojë dhe justifikojë asgjë:
Përsëri sot dhe përsëri paturpësisht, Saliu vazhdoi të mohojë atë që çdo shqiptar e pa dhe e dëgjoi me zë e me figurë. Kjo tallje sot kishte edhe një ngarkesë të re, përpjekjen, përsëri mafioze, për të vënë nën presion prokurorinë duke harruar qoftë edhe formalisht shprehjen hipokrite ‘le t’ia lemë drejtësisë’.
Ndërkohë, që besimi i tij tek drejtësia ishte zero:
Drejtësia s’mund të japë drejtësi në një vend që qeveriset padrejtësisht nga kusarë e matrapazë që kanë vetëm një interes, paranë dhe vetëm një mjet për të përmbushur interesin, pushtetin.
Pesë vjet më vonë, Edi Rama ka zgjedhur pikërisht t’ja “lërë drejtësisë” këtë çështje, duke shprehur besim të plotë tek drejtësia (edhe pse që atëherë, praktikisht, nuk ka ndryshuar asgjë në sistemin e drejtësisë):
Ndryshe nga paraardhësi im, nuk mund të jem unë ai që përcakton fajin apo pafajësinë. Kjo është detyrë e sistemit të drejtësisë dhe është drejtësia që duhet të zbardhë deri në fund të vërtetën.
… Prandaj të gjitha organet ligjzbatuese, duhet t’i shkojnë deri në fund e pa humbur kohë kësaj historie, për të hedhur dritë të plotë mbi faktet.
Edi Rama, sot, po e distancon veten nga Saimir Tahiri dhe po flet për të si për një vartës të parëndësishëm krejt të shkëputur prej tij, edhe pse Tahirin e kishte konsideruar dhe trajtuar, për katër vjet rrjesht, si njeriun e bashkëpunëtorin e tij më të afërt dhe e kishte mbrojtur pa asnjë hezitim e me forcë përballë akuzave për lidhje me krimin:
Saimir Tahirin e njoh prej vitesh dhe kam pasur vetëm fjalë mbështetjeje e inkurajimi për të, si person me qëllime të mira, aftësi dhe integritet. Por Shqipëria dhe shqiptarët sot duan e meritojnë të dinë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës. […]Prandaj të gjitha organet ligjzbatuese, duhet t’i shkojnë deri në fund e pa humbur kohë kësaj historie, për të hedhur dritë të plotë mbi faktet.
Por në vitin 2011, Edi Rama i shihte gjërat ndryshe. Atëhere, ai nuk bënte asnjë dallim mes Ilir Metës dhe Sali Berishës, zëvendëskryeministër dhe kryeministër, dhe e kërkoi përgjegjësinë direkt tek Berisha:
Është e padrejtë të thuhet se në atë episod të neveritshëm matrapazllëku ishte vetëm Ilir Meta. Sot mund të thuhet pa asnjë dyshim se aty ishte edhe Saliu dora vetë.
Edi Rama më 17 tetor 2017, përjashton çdo përgjegjësi nga vetja dhe kërkon ta gjejë (me tone të buta) përgjegjësinë vetëm tek Saimir Tahiri:
Por Shqipëria dhe shqiptarët sot duan e meritojnë të dinë të vërtetën, vetëm të vërtetën dhe asgjë tjetër përveç të vërtetës. Prandaj të gjitha organet ligjzbatuese, duhet t’i shkojnë deri në fund e pa humbur kohë kësaj historie, për të hedhur dritë të plotë mbi faktet.
Edhe pse korrupsioni i nënkuptuar nga videoja i Ilir Metës, nuk kishte lidhje me zgjedhjet, Edi Rama mendonte se qeveria kishte humbur legjitimitetin e duhej të larg0hej dhe në Shqipëri të zhvilloheshin zgjedhje të reja:
Në Shqipëri kanë rënë zgjedhjet, ka rënë drejtësia, ka rënë i gjithë shteti. […]Kjo qeveri e marrë fund duhet të largohet.
Sali largohu nga qeveria, bashkë me zëvendësin e me kë ke tjetër dhe hapi rrugë një zgjidhjeje politike që Shqipëria të rifutet në rrugë.
U them sot nga kjo foltore, edhe Saliut edhe zëvendësit të tij [Ilir Metës], se çdo ditë që vonojnë dorëheqjen dhe pranimin e zgjedhjeve të reja, si të vetmen rrugë për të nxjerrë Shqipërinë nga kriza totale ku e kanë zhytur, rëndojnë papushim pozitën e tyre para këtij populli.“
Sot, Edi Rama as e mendon rrëzimin e qeverisë apo zgjedhjet, por përbetohet që do të luftojë e punojë më shumë se më parë pa u shkurajuar nga asgjë, ndërkohë që shpreh përçmim që opozita ka kërkuar largimin e tij:
Asnjë luhatje. Asnjë rezervë. Asnjë dyshim: Lufta jonë me krimin do të vazhdojë në çdo ditë me edhe më shumë forcë.
Ne jemi ndryshe dhe po luftojmë përditë që të bëjmë shtet, punë, mirëqenie për Shqipërinë që duam. Ndryshe nga këta të Frontit të Çadrës së Vjetër, ne marrim përgjegjēsi për Shqipërinë dhe mbajmë përgjegjësi për çdo gjë që nuk e bëjmë mirë apo që del në dritën e realitetit si problem i yni.
Për aq kohë sa jemi në vijën e parë të luftës, kemi marrë parasysh edhe plagët, por edhe baltën, që sjell kjo betejë aspak e lehtë. Por ama ne nuk dorëzohemi dhe do të vazhdojmë të luftojmë krimin dhe kriminelët deri në fund, për Shqipërinë që duam.