Skandali i korrupsionit të EULEX dhe një mësim për reformën në drejtësi në Shqipëri

Nga Vincent W.J. van Gerven Oei
Skandali i korrupsionit të EULEX dhe një mësim për reformën në drejtësi në Shqipëri

Në vitin 2014, media britanike The Guardian zbuloi “krizën më të keqe të politikës së jashtme të BE-së” të viteve të fundit: mbulimin e një skandali masiv korrupsioni të EULEX-it, misionit të ndihmës ndaj institucioneve kosovare për vendosjen e shtetit të së drejtës në Kosovë, i cili ka kushtuar më shumë se 1 miliardë euro që kur filloi në vitin 2009.

Skandali u zbulua nga një “informatore”, prokurores së Mbretërisë së Bashkuar Maria Bamieh, e cila u shkarkua nga posti i saj në EULEX, pasi zbuloi se një gjykatës dhe kryeprokurori mund të kishin pranuar ryshfete të mëdha nga politikanët kosovarë në këmbim të favoreve.

Në vend që të duartrokitej për guximin e saj për të nxjerrë në dritë korrupsionin në operacionin më të madh të jashtëm të BE-së, Bamieh u pezullua dhe u flak jashtë selisë së EULEX-it për “sjellje të pahijshme”, në Prishtinë në tetor 2014.

Është interesante të vërehet se trajtimi i Bamieh nga institucionet e BE-së — persekutim dhe jo mirënjohje e mbrojtje — ngjason me rastin e Dritan Zaganit, ish shefit të anti-drogës në policinë e Fierit, i cili dha i pari alarmin për përfshirjen e ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri në trafikun e drogës nga banda e Habilajve, përfshirje e konfirmuar dy vjet më vonë nga policia italiane. Në vend që të vihen nën mbrojtje, Zagani u sulmua me forcë nga kryeministri Edi Rama dhe u mbajt në burg pa gjyq.

Pas shpërthimit të skandalit të EULEX në publik, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së Federica Mogherini urdhëroi nisjen e një hetimi të pavarur për të rishikuar zbatimin e mandatit të EULEX-it në Kosovë, i cili u përgatit nga Jean-Paul Jacqué dhe përfundoi në mars 2015.

Megjithëse në fund raporti i Jacqué, nuk arriti t’i vërtetojë dyshimet e ngritura nga Maria Bamieh, ai ishte në përgjithësi mjaft kritik dhe tregoi qartë se dyshimi i Bamieh ishte keqpërdorur brenda institucionit. Bamieh nuk iu dha mbrojtja që  i takonte një informatori dhe u këshillua të “mbyllte njërin sy”.

Mariah Bamieh i kundërshtoi konkluzionet e Jacqué, dhe që atëherë ka ngritur një padi kundër ministrisë së jashtme të Mbretërisë së Bashkaur për këshillën që ajo i dha “të mbyllur një sy” ndaj provave të mundshme për korrupsion brenda EULEX-it.

Pavarësisht nga e vërteta e akuzave të Bamieh, vlerësimi i Jacques për suksesin e EULEX-it është dëshpërues:

“Në mungesë të plotë të respektimit të shtetit ligjor në Kosovë gjatë viteve, [korrupsioni dhe krimi i organizuar] janë rritur ndjeshëm. Gjendja ka mbetur thellësisht shqetësuese që nga fillimi i misionit [EULEX]. Korrupsioni është i gjithëpranishëm.

Gjithnjë e më shumë po bëhet arsye për shqetësim fakti se kur u krijua Misioni u bënë deklarata të pabazuara se do t’i jepej fund korrupsionit dhe do të arrestoheshin “peshqit e mëdhenj”brenda pak kohe. Megjithatë, politika lëviz me një ritëm më të shpejtë se puna në sistemin gjyqësor, e cila bazohet në prova, argumente kundërshtuese dhe në prezumimin e pafajësisë.”

Këto përfundime të raportit Jacqué ngrenë shumë dyshime rreth efektivitetit të përpjekjeve të BE-së për të zbatuar reformën në drejtësi në Shqipëri. Qëllimi kryesor i kësaj reforme është eliminimi i korrupsionit nga sistemi i drejtësisë, pikërisht bazuar mbi premtimin për të arrestuar “peshqit e mëdhenj”.

Së pari, nëse BE-ja, me 1 miliardë euro dhe dhjetëra gjyqtarë e prokurorë të huaj, nuk qe në gjendje të krijonte një sistem të pa korruptuarë të drejtësisë, si mund të mendohet se mund të arrihet një synim i tillë në Shqipëri, ku nuk ka asnjë ekspert të huaj të përfshirë brenda institucioneve shqiptare?

Së dyti, katër nga tetë ekspertët ndërkombëtarë në Misionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM), i cili duhet të mbikqyrë procedurat e institucioneve të verifikimit dhe rivlerësimit (vetingun) të të gjithë gjyqtarëve, prokurorëve dhe personelit mbështetës të punësuar në sistemin e drejtësisë, kanë qenë pjesë e EULEX-it. Theo Jacobs ishte kryeprokurori i EULEX-it dhe paraardhës i Jaroslava Novotnës, e cila dyshohet si e përfshirë në skandalin e korrupsionit që zbuloi Bamieh, Elka Ermenkova ishte gjykatëse ndërkombëtare në Gjykatën Supreme të Kosovës, ndërsa Ferdinando Buatier de Mongeot dhe Marie Tuma ishin gjyqtarë të EULEX-it.

Natyrisht, fakti që këta njerëz punonin për EULEX-in nuk nënkupton në asnjë mënyrë se ata kanë qenë të korruptuar, por trajtimi i BE-së për rastin e korrupsionit brenda EULEX-it duhet të shërbejë si rast paralajmërues për mënyrën me të cilën BE do të trajtojë rastet e mundshme të korrupsionit në insitucionet e vetingut apo në ONM, në të ardhmen.

Qartazi BE dhe qeveria shqiptare kanëtë përbashkët diçka shumë të rëndësishme: kur zbulohen skandale të mundshme korrupsioni, ato nuk përgjigjen me gatishmëri dhe përgjegjësi; përkundrazi, fillojnë të sulmojnë informatorët dhe përpiqen të mbulojnë veten me fshehtësi.

Ky duhet të jetë një paralajmërim i fortë për atë që pritet të ndodhë në të ardhmen.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>