Rama i kërkon falje gazetares italiane: E pranoj që kam gabuar

Rama i kërkon falje gazetares italiane: E pranoj që kam gabuar

Kryeministri Edi Rama ka kërkuar falje për ofendimet që i bëri gazetarëve italianë të emisionit “Le Iene” , të cilët pak ditë më parë i quajti “pjesë të kazanit”.

I ftuar dje në emisionin e gazetares Eni Vasili, Kryeministri Rama u përball me një komunikim të gazetarës Alice Martinelli e cila hodhi poshtë me prova akuzat e Ramës se emisioni për fëmijët në Bulqizë ishte bërë me filmime të vjetra.

I gjendur në këtë situatë, Kryeministri Rama u shpreh:

“E vërteta është kjo: Unë e mora si informacion, pa e parë reportazhin fola me paragjykim dhe kam bërë gabim pa dashje. Është një gabim dhe e pranoj që kam gabuar. “

Pak ditë më parë gjatë mbledhjes së qeverisë në Dibër, në shtëpinë e një familje dibrane Zoti Rama, referuar reportazhit të Le Iene për shfrytëzimin e fëmijëve për mbledhjen e kromit tha:

“Më erdhi inat me ca italianë, se dhe atje kazanë sa të duash ka, kishin bërë një reportazh të ndyrë për fëmijët që mbledhin krom, me filmime të vjetra. Tmerr… tmerr! Ç’a të thuash. Kazanë gjithandej.”

Ndërkohë emisioni italian ka premtuar se së shpejti do të shfaqë një investigim tjetër për Shqipërinë, kësaj radhe për një çështje më të nxehtë, për kanabizimin e vendit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>