Bashkia Tiranë ka nisur sot punimet për fazën e dytë dhe të fundit të rikualifikimit të sheshit Skënderbej, më saktësisht pjesën e lulishtes pas monumentit të Skënderbeut.
Punimet do të bëhen nga kompania Fusha shpk, kompani e cila nuk ka patur asnjë konkurrëncë gjatë ndërtimit të sheshit: ajo ka fituar tenderin për ndërtimin e parkimit nëntokësor dhe për fazën e parë të rikualifikimit të sheshit.
Kompania Fusha shpk ishte e vetmja ofertuese në këtë tender dhe oferta e saj (rreth 7,1 milion euro) ishte sa 99,9 për qind e fondit maksimal të vënë në dispozicion.
Ndryshimi i trafikut
Bashkia Tiranë ka njoftuar se për shkak të punimeve disa prej segmenteve rrugore do të bllokohen. Më specifikisht:
– Ndalohet qarkullimi në segmentin e rrugës “Çamëria”, nga kryqëzimi me Rrugën “Ibrahim Rugova” deri në sheshin “Skënderbej”(segmenti para selisë së Partisë Socialiste). Qarkullimi i automjeteve, do të bëhet në rrugën “Ibrahim Rugova” në kryqëzimin me rrugën “Çamëria”, drejtim i detyruar drejt.
– Qarkullimi i automjeteve në segmentin e Rrugës “Ibrahim Rugova”, nga “Myslym Shyri” deri te bulevardi “Gjegj Fishta” (segmenti para Taiwan), do të jetë me një drejtim lëvizjeje, sipas sensit veri-jug.