Prokuroria ka marrë nën hetim 32 deputetë dhe kryebashkiakë të opozitës, për shkak të pjesëmarrjes së tyre në protestën e 5 prillit kur u bllokuan katër rrugë kombëtare në vend.
Mes të hetuarve janë edhe udhëheqësi demokrat Lulzim Basha, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi, si dhe kryebashkiakët e Shkodrës, Kukësit e Kamzës.
Përveç politikanëve, prokuroria ka nisur hetimet dhe për rreth 15 qytetarë, gjithashtu pjesëmarrës në protestë.
Të gjithë po hetohen nën akuzën e “organizimit dhe pjesëmarrjes në tubime e manifestime të paligjshme”, “pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “prishje të qetesisë publike”.
Kryetari i PD, Basha e quajti ndjekjen penale veprim qesharak:
“Është një veprim qesharak i hetuesisë politike Rama-Marku, i cili ekspozon për fat të keq atë që kemi paralajmëruar para shumë kohësh, që tani Edi Rama ka futur në dorë dhe drejtësinë dhe prokurorinë. Kjo është faza e fundit e autokracisë që grumbullon të gjitha pushtetet. E kam për nder që procedohem penalisht bashkë me qytetarët që jemi ngritur në protestë për një të drejtë legjitime.”
Protesta e 5 prillit, e organizuar nga PD e LSI, u bë një ditë pasi gjykata e Tiranës vendosi të lërë në burg 11 qytetarë që morën pjesë në protestën e Kalimashit kundër tarifës së Rrugës së Kombit.