Kryebashkiaku Erion Veliaj duket se mban dy qëndrime të kundërta për Teatrin Kombëtar dhe rezistencën e aktorëve. Në Tiranë, Veliaj duket i gatshëm të bisedojë dhe bashkëpunojë me aktorët, me qëllim përmirësimin e Tiranës. Ndërsa jashtë kufijve, qëndrimi i Veliajt ndryshon tërësisht, duke i akuzuar aktorët se kërkojnë tu merret mendimi pa të drejtë e më çdo kusht.
Në Tiranë, para dhe pas takimit me aktorët e Teatrit Kombëtar, Erion Veliaj u shpreh:
“Një shans fantastik është takimi i sotëm. I kemi ftuar të gjitha palët, t’i dëgjojmë të gjithë dhe ata që kanë shqetësime dhe ata që janë pro, dhe ata që kanë pyetje.
“Jam shumë i inkurajuar nga dëgjesa që patëm me aktorët sepse patëm një ulje tensioni, lamë mënjanë mëritë e vjetra, nisëm një faqe të re të diskutimit.”
Ndërsa në Prizren, teksa merrte pjesë në një aktivitet në kinemanë e vjetër Lumbardhi, Kryebashkiaku Veliaj ndryshoi totalisht mënyrën e të folurit, si për procesin e diskutimit me aktorët, ashtu dhe për godinën e teatrit:
“Cili është problemi me Teatrin? Problemi është se njerëzit duan me u sajdisë: ‘pse s’më pyete mua’. Flasim për trashëgimi kulturore. Po çfarë trashegimie kulturore ka aty ku kalojnë minjtë, me azbest dhe me shurrë.”
Duket ironike fakti që këto deklarata, Erion Veliaj i bëri tek kinemaja e vjetër e Prizrenit, të cilën para disa vitesh institucionet kosovare planifikuan ta prishnin. Ishte pikërisht reagimi i artistëve dhe qytetarëve të Prizrenit që mbrojtën nga shembja kinemanë e vjetër dhe tani e kanë shndërruar në një pikë turistike dhe qendër aktivitetesh kulturore.