Erion Veliaj ka filluar të jetë në kontraditë me veten. Në një postim të tijin në Tweeter, një ditë pas inagurimit të shumë-paralajmëruar të shkollës Kosova, Erion Veliaj ka përgëzuar arkitektët e Bashkisë Tiranë për projektin e shkollës Kosova. Ai e quajti projektin një mini-xhevahir. Në postimin e tij ka vazhduar duke thënë se “17 shkollat e tjera vetëm do të bëhen më të mira se Kosova. Të gjitha më arkitektë të huaj”.
Pra, mjaft me shqiptarët, tani do punojmë vetëm me të huaj. Ky kryetar është i rrezikshëm, i pafytyrë dhe nuk ka frikë fare të jetë i tillë!
Historia e arkitektëve të huaj në Tiranë është mbuluar në shumë shkrime të Exit. Një pjesë jo e vogël e tyre janë të përdorur nga Rama dhe Veliaj për të justifikuar projektet e diskutueshme, si përshembull projekti i prishjes së Teatrit Kombëtar dhe zëvendësimi i tij me një Papjon Betoni arrogant të Bjarke Ingels, arkitektit danez.
Ndërsa arkitekti tjetër i zemrës i oborrit Rama-Veliaj, Winny Maas, flet kudo për ndërtim hotelesh aty ku natyra shqiptare ofron më të bukurën e saj: mbi kanionin e Gjipesë. Në leksionet e tij, hollandezi tallet me shqiptarët dhe njëkohësisht tregon se çfarë ka bërë në përgjigje të asaj që i është kërkuar të bëjë. Nga Rama e mbase nga Erioni.
Nëse Rama i ka sharë arkitektët vendas dhe i ka persekutuar në mënyrë sistematike për t’i hapur vend figurës së arkitektit të huaj më të cilin ka bërë gjithë ç’ka dashur. Vet vetingu i Ramës ndaj arkitektëve shqiptarë për t’i asgjesuar ata dhe për të hapur derën vetëm për të huajt ka qenë këmbana e parë e mënyrës sesi do t’i trajtonte Rama proceset e vetingut. Erion Veliaj nuk e bën dot këtë hapur, dhe aty ku i duhet të mburrë arkitektët shqiptarë – të bashkisë – gjithashtu i hedh poshtë ata.
Pse 17 shkollat e Veliajt duhet të bëhen vetëm me arkitektë të huaj? Ku janë konkurset ku si arkitektët shqiptarë dhe të huaj të konkurrojnë për këto vepra publike si kudo në botë? Kush është Veliaj që të mbyllë derën ndaj shqiptarëve dhe të hapë derën vetëm për të huajt?
Snobizmi i Veliajt dhe i stafit të tij, i ushqyer e ujitur nga brutalizmi dhe arroganca e Ramës, ndaj arkitektëve shqiptarë, përdorimi i tyre sa për fasadë, është këmbanë e fortë e mendësisë së kastës së Veliajt ndaj klasës së profesionistëve — të cilën ata duan ta manipulojnë dhe shkatërrojnë vetëm e vetëm për të arritur qëllimin e tyre.
Veliaj, ashtu si dhe Rama, e ka kthyer mekanizmin e prokurimit të projekteve, të miratimit të lejeve dhe studimeve në një instrument për të kontrolluar opinionin publikë të arkitektëve.
Në tavolinat e tij të rrumbullakta thërret arkitektë — të lidhur me interesa shume të forta të klaneve të ndërtimit; ish-shefa urbanistike të komunave përreth Tiranës — që mburren për miliona metra katrorë të ndërtuara, por që s’mund të mburren dot as për një metër katrorë park; dhe disa kuratorë romantikë që flasin për gjëra që nuk ekzistojnë.
Thërret dhe ca profesorë, të cilëve i premton shumë por iu jep pak. Këta të gjithë janë arkitektë që paguhen sa pllakaxhinjtë që shtrojnë pllaka.
Më pas, copat e mëdha, qindra miljonëshe, Veliaj i miraton për arkitektët e huaj, të cilët paguhen 10-20 herë më shumë se arkitektët vendas. Këto të fundit janë ato që bëjnë edhe demet më të mëdha në vend.
Kjo aleancë e pafytyrë e pushtetit me arkitektët e huaj nuk është diçka që vetëm Erion Veliaj e mësoi nga Rama. Vangjushi, Nikoja njësoj si Veliaj e kanë mësuar se aty ku bie erë e keqe, era abuzim me hapësirën publike dhe fondet publike, arkitekti i huaj është si parfumi erëmirë në sasi të mëdha dhe për rrjedhojë i shtrenjtë.
Veliaj ka shansin që në Tiranë të hapë një periudhë mbështetjeje dhe forcimi të arkitektëve të talentuar vendas. Ose mbase e kishte! Sepse cicërrima e tij në Tweeter “Rrofshin arkitektët shqiptarë të bashkisë, poshtë arkitektët shqiptarë” është ogurzeze dhe shpresëvrarëse.