Konfirmimi në detyrë i prokurorit Osmani tregon standardet e dyfishta të KPK-së

Konfirmimi në detyrë i prokurorit Osmani tregon standardet e dyfishta të KPK-së

Pas tre muajve, në shkelje të çdo afati të parashikuar me ligj, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka publikuar më 30 tetor, vendimin për konfirmimin në detyrë të Prokurorit të Krimeve të Rënda Gentjan Osmani.

Publikimi i vendimit të Osmanit ka rëndësi të veçantë sepse tre anëtarët e KPK-së Firdes Shuli, Roland Ilia dhe Pamela Qirko nuk morën parasysh opinionin e ONM-së që rekomandoi shkarkimin e Osmanit për shkak të mosjustifikimit të pasurisë, specifikisht për mungesën e burimeve të ligjshme të pasurisë për blerjen e një apartamenti, për pagesën e një huaje dhe për blerjen e një makine.

Më poshtë, Exit.al shpjegon si ka rrjedhur procesi i vetingut të prokurorit Osmani, si dhe vendimet e KPK-së dhe ONM-së.

Procesi i vetingut

Prokurori i Krimeve të Rënda Gentjan Osmani, njëkohësisht dhe kandidat për në KLP, u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 2 gusht 2018.

Një javë më vonë, më 9 gusht, ONM i rekomandoi Komisionerit Publik që të apelojë vendimin e KPK-së për Osmanin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe të kërkojë shkarkimin e tij për shkak të mosjustifikimit të pasurisë dhe burimeve jo të ligjshme të saj.

Por duket qenë se vendimi nuk ishte publikuar ende nga KPK, Komisionerët Publik nuk kishin të drejtë ta ankimonin atë. Tani KP ka 15 ditë kohë për të marrë parasysh rekomandimin e ONM-së për të ankimuar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit konfirmimin në detyrë të Osmanit.

Edhe pse ndaj tij kishte një rekomandim negativ nga ONM, gjatë këtyre 3 muajve prokurori Osmani, njëkohësisht dhe zv.drejtues i Prokurorisë për Krime të Rënda, është përfshirë në një sërë çështje të rëndësishme të prokurorisë, si përgjimi Babale-Xhafaj; të ish-ministrit Tahiri dhe të bandës së Emiljano Shullazit.

Dyshimet e ONM-së dhe vendimi i KPK-së për prokurorin Osmani

ONM dyshon se prokurori Osmani nuk ka pasur burime të ligjshme për të blerë në vitin 2009, një apartament me sipërfaqe 72 metra katrorë, me vlerë 67.800 euro. Për blerjen e këtij apartamenti, Osmani ka deklaruar si burime të ardhurash  kursimet e tij ndër vite, një hua prej 20 mijë eurosh nga një person i tretë dhe 1,5 milionë lekë dhuratë nga vjehrri.

Nga vendimi i KPK-së zbulohet se huan prej 20 mijë eurosh, me interes vjetor 5 për qind, prokurori e ka marrë në vitin 2009 nga shtetasit A.B.Q., i cili është djali i dajës së subjektit, dhe jeton e punon prej rreth 20 vitesh në Itali. Këtë hua ai e ka shlyer si më poshtë:

– në vitin 2011, shuma 7.000 euro;

– në vitin 2012, shuma 5.000 euro;

– në vitin 2013, shuma 8.000 euro.

Për shlyerjen e interesit vjetor, prokurori ka deklaruar para KPK-së se ato janë shlyer pjesë-pjesë gjatë viteve 2009 – 2013, nga të ardhurat e deklaruara rregullisht dhe janë përfshirë në shpenzimet vjetore të familjes dhe se për këto shlyerje nuk është lëshuar ndonjë dokument që i vërteton pagesat, për shkak të marrëdhënieve të posaçme familjare me subjektin.

ONM ngre dyshimet se prokurori Osmani ka pasur të ardhura nga burime jo të ligjshme, pasi në vitet 2005, 2009, 2011, 2012 dhe 2013  ka shpenzuar (për jetesë dhe për të paguar huanë) më shumë para se sa ka fituar.

Fillimisht dhe KPK po ashtu, bazuar në deklaratat e bëra gjatë viteve, ka vlerësuar se në vitin 2011, 2012, 2013, prokurori nuk ka pasur burime të mjaftueshme për shlyerjen e huas, por Osmani ka deklaruar se ka jetuar në shpenzime minimale, edhe pse sapo ishte bërë me fëmijë:

“Deri në shtator të vitit 2011 kam jetuar me prindërit, bashkëshorten me leje lindjeje dhe një fëmijë 20 muajsh. Shpenzimet kanë qenë më minimale se ato të llogaritura. Deri në shtator të vitit 2011, nuk kemi pasur shpenzime ujë, energji elektrike dhe konsum ditor familjar (ushqim, detergjent etj.), pasi janë përballuar nga prindërit e mi.”

Për të paguar huanë, prokurori ka shfrytëzuar dhe kursin e këmbit për të bërë shkëmbime nga lek në euro sa më të favorshme:

“Shlyerjet e huas gjithnjë janë bërë në fund të vitit, gjatë muajit dhjetor të çdo viti, pasi disponoja likuiditetet e nevojshme për këto shlyerje, duke i kthyer ato me kursin me të favorshëm.”

Lidhur me mundësinë e familjarëve të bashkëshortes së prokurorit për t’i dhuruar Osmanit 1,5 milionë lekë, KPK argumenton se nga viti 2004 deri në vitin 2008, bashkëshortja dhe prindërit e saj kanë pasur të ardhura në vlerën e 4,2 milionë lekëve. Gjatë po këtyre viteve, bashkëshortja dhe dy prindërit kanë shpenzuar vetëm 1,75 milionë lekë për të jetuar për katër vite, pra me një llogaritje të thjeshtë, ata kanë shpenzuar 400 lekë për person në ditë. Gjatë këtyre viteve, ata kanë deklaruar kursime në vlerën e 550 mijë lekëve. Pra në total, në bazë të të ardhurave, shpenzimeve dhe kursimeve, KPK argumenton se bashkëshortja dhe prindërit e saj kanë pasur mundësi të kursenin dhe 1,9 milionë lekë të tjerë, nga ku më pas i kanë dhuruar Osmanit 1,5 milionë lekë për shtëpinë.

Lidhur me pagesën e kësteve të apartamentit, KPK shkruan se prokurori nuk ka pasur burime financiare, që në vitin 2009 të paguante dy këste, përkatësisht 15 mijë euro më datë 31.01.2009 dhe 32.680 euro më datë 21.03.2009. Pra, në total deri më datë 21.03.2009 janë paguar 47.680 euro (6.579.840 lekë) edhe pse prokurori nuk ka pasur të ardhura dhe kursime të mjaftueshme.

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka ngritur pikëpyetje edhe mbi mundësitë financiare të prokurorit Osmani për blerjen e një automjeti. Sipas analizës së ONM-së, diferenca ndërmjet të ardhurave dhe shpenzimeve, nuk justifikojnë shumën që është përdorur për blerjen e automjetit.

Megjithëse Osmani e ka blerë automjetin me vlerë 450 mijë lekë në vitin 2005, për herë të parë ai e ka deklaruar atë në deklaratën e pasurisë së vitit 2009. Për këtë automjet, prokurori nuk disponon aktin e blerjes. KPK shkruan:

“Lidhur me arsyet e mosdeklarimit të këtij automjeti në vitin 2005, subjekti, në pyetësorin e datës 29.04.2018, deklaron ndër të tjera se është menduar si e deklaruar në vitin 2005, por që është konstatuar gjatë deklarimeve të interesave private të vitit 2009, në kohën kur ka bërë deklarimet së bashku me bashkëshorten për pasuritë e disponuar veçmas. Gjithashtu, subjekti i rivlerësimit shprehet se burim i të ardhurave për blerjen e kësaj makine në vitin 2005 janë kursimet nga paga dhe shpërblimet në vite nga Shkolla e Magjistraturës dhe detyra si prokuror. Për sa i përket aktit të blerjes, nuk disponohet nga ana e tij, për shkak se i ka humbur.”

KPK fillimisht doli në përfundimin se prokurori Osmani nuk ka pasur të ardhura të mjaftueshme për blerjen e makinës, por prokurori shpjegoi se KPK ka bërë gabime në deklarimet për të ardhurat dhe shpenzimet në ato vite.

Krahasuar me vendimet e mëparshme, në të cilat gjyqtarët dhe prokurorët janë shkarkuar për dyshimin më të vogël në deklarimet e tyre të pasurisë, vendimi për konfirmimin në detyrë i prokurorit Osmani tregon përdorimin e dy standardeve nga ana e KPK-së.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>