Prej mëse dy muajsh, Taulant Muka, një mjek epidemiolog i ri në moshë i arsimuar në Holandë, ka nisur një betejë kundër doktoraturave “të rreme” të shumë politikanëve dhe zyrtarëve shqiptarë. E jashtëzakonshmja në këtë betejë është se, përvec një rasti, denoncimi i tyre nuk ka pasur ndonjë efekt të dukshëm. Shumë nga ata që kanë mashtruar përmes plagjiaturës — duke hapur rrugën e tyre në sistemin arsimor shqiptar, vazhdojnë të gëzojnë pozicionet e tyre në pushtet dhe të konsiderohen legjitim në këto pozita. Pavarësisht vëmendjes së medias kohët e fundit ndaj fenomenit të plagjiaturës së punimeve shkencore, gjë që dihej e flitej prej kohësh nën zë, vetëm një zyrtar është shkarkuar në Shqipëri.
Një pjesë e mirë e zyrtarëve kanë marrë gradën shkencore “doktor” gjatë kohës që kanë ushtruara apo ushtrojnë edhe funksionin e ministrit apo të deputetit. Kështu për shembull Taulant Balla, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, e ka mbrojtur doktoraturën në vitin 2015 kur ushtronte funksionin e deputetit dhe Sekretarit Organizativ të PS-së.
Deri më tani në këtë skandal janë përfshirë 7 politikanë dhe zyrtarë të qeverisë:
– Ish-Zëvendës Ministri i Arsimit Ervin Demo
– Deputetja e PS Blerina Gjylameti
– Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu
– Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi
– Deputeti i PS Taulant Balla
– Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) Miranda Karçanaj
Ndërkohë që me shumë gjasa kjo është vetëm maja e ajsbergut — e përbashkëta e këtyre rasteve është një sistem arsimor shqiptar i paaftë për të rrënjosur tek studentët standardet akademike. Kjo nis me stafin akademik, një pjesë e mirë e të cilëve detyron studentët të blejnë libra të tyre — një pjesë janë përkthime të bëra me programin e përkthimit të Google-it. Por ka pastaj edhe një treg të tërë të doktoraturave “të blera”, ku nuk mungojnë as “punimet shkencore” me porosi. Unë vetë jam gjendur disa herë përballë kërkesave për të shkruar teza doktorature në këmbim të shumave të majme parash. Ndaj me shumë gjasa, për disa nga tezat e mëposhtme të doktoraturave, “autorët” e tyre as nuk kanë qenë të ndërgjegjshëm për plagjiaturën, pasi nuk është se i kanë shkruar vetë.
Deri në çastin e publikimit të këtij artikulli, të gjithë artikujt dhe punimet e kryera përmes plagjiaturës gjendeshin online. Exit.al i ka kontaktuar revistat shkencore dhe universitetet (e huaja) të përfshira në këtë skandal dhe mbetet në pritje të përgjigjeve lidhur me këto raste plagjiature.
Sidoqoftë, ne po sjellim në vijim një përmbledhje të turpshme të “arritjeve akademike” të disa përfaqësuesve të klasës politike shqiptare:
(Ish) Zv.Ministri i Arsimit Ervin Demo and Deputetja e PS Blerina Gjylameti
Më 6 tetor 2018, Muka publikoi në Twitter dy imazhe përkrah njëri-tjetrit të një artikull me bashkautorësi Zv.Ministrin e Arsimit Ervin Demo, si dhe burimin në orgjinal nga ku ishin marrë pjesë të gjata, pa cituar autorësinë. Pasqyrimi i pjesëve të gjata të punimeve shkencore të tjetërkujt, pa ua cituar autorësinë, qofshin edhe me ndryshimin e ndonjë fjale nëpërtë, konsiderohen plagjiaturë. Një praktikë e tillë ndalohet rreptësisht në komunitetin akademik dhe thuajse gjithmonë shkelja e kësaj praktike mund të sjellë përjashtim nga studimet.
Rasti i parë i plagjiaturës që ka publikuar Muka i përket artikullit “‘Decentralization and Reforms in Albania’, Require Economical and Political Active Role of All Actors,” [“‘Decentralizimi dhe Reformat në Shqipëri’ kërkojnë marrjen e një roli aktiv ekonomik dhe politik nga të gjithë aktorët”] me autorë Albert Qarri, Ismail Zejneli, Alba Dumi dhe Ervin Demo, publikuar në revistën Procedia: Social and Behavioral Sciences 58 (2012): 379–388. Siç e nxorri në pah Muka, pjesë të mëdha të abstraktit (përmbledhjes hyrëse) të këtij artikulli ishin marrë fjalë për fjalë nga libri për studentë i Janet Morrison-it International Business: Challenges in a Changing World, [Biznesi Ndërkombëtar: Sfidat në Botën në Ndryshim].
Rasti i dytë i plagjiaturës të nxjerrë lidhet me artikullin me titull “Universitetet dhe transferimi i teknologjisë” në Revistën shqiptare social ekonomike 1 (2011): 57–64. Artikulli mban bashkëautorësinë e Ervin Demos dhe Blerina Gjylametit, e cila është deputete e Partisë Socialiste, Kryetare e PS- Tiranë dhe Koordinatore e Kryeministrit Edi Rama për Platformën e Bashkëqeverisjes. Sërish, në pjesën më të madhe të tij abstrakti është një kopje e fjalëpërfjalshme e një burimi të pacituar – në këtë rast nga përmbledhja e një raporti të vitit 2005 nga Diane Palmintera, me titull Açelerating Economic Development Through University Technology Transfer [Përshpejtimi i Zhvillimit Ekonomik përmes Transferimit të Teknologjisë në Universitete].
Në të dyja rastet, Ervin Demo ka marrë “fruta nga një degë e varur”, duke kopjuar fjalë për fjalë përmbledhje punimesh shkencore, teë cilat gjenden lehtësisht online, në pjesët e librave që libraritë online i shfaqin falas, për t’i dhënë një shije lexuesit përpara se t’i blejë. Kjo, pra, do të thotë se me shumë gjasa ai as i ka lexuar të plota punimet që ka kopjuar.
Fundi i kësaj historie ishte se Demo u detyrua të jepte dorëheqjen dhe Muka zuri vendin e tij si Zv.Ministër i Arsimit.
Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu
Më 3 dhjetor 2018, Lëvizja për Universitetin – njëra prej organizatave pjesmarreëse në protestën e studentëve – tregoi se Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu ka kryer plagjiaturë, duke kopjuar pjesë të mëdha të tezës së saj të dotoraturës në Departamentin e Kimisë në Universitetin e Tiranës. Teza e saj me titull “Krahasimi i monitorimeve të mjedisit në landfillin e Sharrës, para dhe pas ndërhyrjes si dhe ndikimet në mjedis” (2013) përmbante pjesë të tëra nga teza e masterit të Fannie Mnisi-t nga Universiteti i Afrikës së Jugut, me titull Environmental Risk Assessment Associated with Unregulated Landfills in the Albert Luthuli Municipality, Mpumalanga Province, RSA (2008) [Vlerësimi i rrezikut mjedisor të shoqëruar me landfille të pasistemuara në Bashkinë Albert Luthuli të Provincës Mpumalanga në Republikës e Afrikës së Jugut].
Sërish, materialet e publikuara nxorrën në pah përkthimet e fjalëpërfjalshme nga anglishtja në shqip, që ishin përdorur nga Manastirliu pa cituar autorin origjinal.
Megjithatë, ndryshe nga Demo, Manastirliu mban ende postin e saj si Ministre e Shëndetësisë.
Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi
Muka bashkë me Vladimir Kolën zbuluan se Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e ka kopjuar një pjesë të madhe të disertacionit të saj me titull Analiza e sistemit të sigurimeve shoqërore në këndvështrimin ekonomik dhe juridik, të mbrojtur në Fakultetin e Ekonomisë të Universitetit të Tiranës (2015), nga libri i Mel Cousin-it, me titull European Welfare States: Comparative Perspectives [Shtetet e Mirëqenies Sociale në Evropë: Perspektiva Krakasuese] (Thousand Oaks: SAGE, 2005).
Një pjesë e mirë e Kapitullit 2 “Welfare State Theories” të librit të Cousin-it (fq. 19-33) është përkthyer në nënkapitullin 1.2.3 “Teoritë e Shtetit Social” (17–30) të doktoraturës së Kryemadhit. Gjithashtu ajo ka kryer plagjiaturë duke kopjuar edhe pjesë të tëra nga Kapitulli 4 i librit në fjalë (59–73), të cilat i ka përdorur në Kapitullin 3 të doktoraturës së saj.
Kryemadhi iu përgjigj akuzave për plagjiaturë duke thënë:
“Doktoratura ime ka burimet e duhura. Doktoratura ime ka të bëjë me një sondazh, jo me letra. E kam bërë doktoraturën per veten time. Çështja e doktoraturës është pretekst për të më sulmuar.”
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS Taulant Balla
Një tjetër politikan që ka çarë shtegun drejt titullit akademik “Doktor” përmes plagjiaturës është Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla. Ai ka kopjuar një pjesë të mirë të studimit Policy-Making in the EU: Achievements, Challenges, and Proposals for Reform [Politikë-bërja në BE: Arritje, sfida dhe propozime për reforma], me autor Andrea Renda, në kuadër të Centre for European Policy Studies [Qendrës për Studime Politike Evropiane] me seli në Bruksel.
Balla e ka marrë doktoraturën në vitin 2015, ndërkohë që ishte deputet dhe Kryetar i Delegacioni të Parlamentit të Shqipërisë në Parlamentin Evropian. Doktoratura e tij me titull Reformimi i sistemit vendimmarrës në Bashkimin Evropian është mbrojtur pranë Departamentit të Filozofisë dhe Shkencave Politike të Universitetit “Alexandru Ioan Cuza” në Iasi, Rumani, nën mbikëqyrjen e Prof. Dr. Gheorghe Poede. Sipas vetë deputetit Balla, ai ka marrë vlerësimin më të lartë summa cum laude për këtë punim.
Balla e ka shkruar punimin e tij në gjuhën angleze dhe është përpjekur ta fshehë strategjinë e tij të plagjiaturës, duke ndryshuar fjalë të punimit që ka kopjuar. P.sh., listën e tij të “Propozimeve për Reforma Institucionale” në Kapitullin 5 të punimit ai e ka kopjuar nga Përmbledhja e Përgjithshme e punimit të autorit origjinal. Kërkimi që ka bërë Alfonc Rakaj, përmes programeve kompjuterike që nxjerrin në pah kopjimin, tregon se shumë pjesë të punimit të autorit origjinal Andrea Renda janë marrë fjalë për fjalë dhe pa u cituar. Për më tepër, punimi i Renda-s nuk figuron fare në bibliografinë e Ballës.
Drejtorja e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) Mirlinda Karçanaj
Së fundmi, edhe Drejtorja e AKSHI-it Mirlinda Karçanaj duket se me thjeshtësinë më të madhe ka kopjuar pjesë të tëra të tezës së saj të doktoraturës Integrimi i sistemit të menaxhimit të dokumenteve me e-shërbimit në institucionet publike, marrë pranë Departamentit të Informatikës të Universitetit të Tiranës në vitin 2012, nga faqja online e Komisionit Federal i Tregtisë i SHBA-së.