Reforma në Drejtësi: Gjej shesh e bëj përshesh

Nga Ilir Babaramo
Reforma në Drejtësi: Gjej shesh e bëj përshesh

Debati për reformën në drejtësi ka arritur në pikën më qesharake të mundshme.

Prej dy ditësh, gjithë mediat janë duke debatuar nëse një nga zyrtarët më kryesorë, ajka e ajkës së të përzgjedhurve të reformës në drejtësi e ka mbiemrin Sheshi apo Shesha.

Kjo është dilema më e madhe që u krijua nga autorët e reformës në drejtësi. Autorët, ose më saktë bedelët, tashmë kanë ikur, në drejtim të ditur e të paditur.

Kanë ikur, si ata që pasi bëjnë plaçkë duke shkëmbyer favore mall me mall në ndonjë këmbë ure, nuk kanë më asnjë brerje ndërgjegje.

Katër vjet më parë, shkrova se trysnia që ambasadorja e BE i bënte opozitës për reformën në drejtësi, shkonte paralel me tenderat që disa firma rajonale përfitonin  në sistemin energjitik. Para e madhe, disa dhjetëra milionë euro.

Sapo ishte paraqitur një projekt, një projekt që dy ambasadorët në rrethana okulte përpiqeshin t’ia paraqisnin opinionit publik shqiptar, si diçka më të shenjtë se Dhjatën e Vjetër. Nëse thoshe gjysmë fjale kundër këtij projekti, kishe gjithë stuhinë e erinive mbi kokë.

Katër vjet më parë, shumë dylekoshë shqiptarë të ambasadave, shumë shkrues fjalimesh të udhëheqësve që kanë rënë nga vakti dhe ëndërrojnë të shkruajnë fjalime më të mira për udhëheqësit aktualë, u turrën të mbysin çdo belbëzim kundër projektit që ishte ambalazhuar nga Vllahutin, por ishte hartuar nga një pjesë okulte e politikës shqiptare.

Njëra dorë lan tjetrën.

Para kishte për të tërë.

Ca më tepër që fjalimshkruesit e kanë pazarin e ulët.

Në fakt, projekti ishte arroganca më e mundshme e demonstruar nga një shumicë qeverisëse. Me një fushatë intimiduese ndaj opozitës, përmes një shpëlarje truri të opinionit publik, se kush është kundër këtij projekti është kundër Evropës, Amerikës, integrimit, asociimit, stabilizimit, e kështu me radhë, e kështu pa fund, thjesht kush guxonte të kishte qoftë dhe pyetjen më të vogël, befas gjendej i kryqëzuar si ata 40 vjet më parë që sulmoheshin kulakë,borgjezë , revizionistë, imperialistë, tradhtare, sabotatorë.

Për hir të vërtetës, regjistri i sharjeve tashmë është më i reduktuar.

Përtej opinionit personal, le të flasim konkretisht se çfarë përfaqësonte ky projekt. Rezultati i tij ishte fare i qartë: drejtësia e kontrolluar nga Berisha do kalonte në kontroll të Ramës.

Ishte një abuzim eklatant i nevojës ulëritëse për një reformë në drejtësi. Duke abuzuar me konsensusin mbarëpopullor, për të pastruar drejtësinë u bë enginering më perfid politik. Projekti i parë parashikonte që SPAK të ishte pjesë e ministrisë së brendshme. Ishte koha kur Tahiri kishte gjelbëruar gjithë territorin e republikës. Ishte koha kur këta ambasadorë shikonin çdo ngjyrë, përfshirë gjithë kategoritë e lejlasë, me përjashtim të jeshiles së hashashit.

Ishte një projekt që e kthente institucionit e akuzës para vitit 1982, kur hetuesia u shkëput nga ministria e brendshme. Barrë e madhe për Saimirin që të bënte Kadri Hazbiun, pavarësisht se fatin politik e kanë të njëjtë.

Ndonëse e kompleksuar, opozita arriti të ndryshojë projektin a la Kadri Hazbiu. Reforma në drejtësi, më e koklavitur se kodet bizantine, u aprovua.

Rezultatet e kësaj reforme po i shikojmë tani. Prej dy vjetësh, vendi është pa Gjykatë Kushtetuese, pa Gjykatë të Lartë, me një Prokuror të Përkohshëm që u zgjodh gjasme për një muaj dhe është 14 muaj në zyrë e nuk dihet se kur do zgjidhet ai sipas kësaj reforme.

Një nga njerëzit që duhet të votojë prokurorin e përgjithshëm, që bën pjesë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, që do emërojë gjithë prokurorët e hetuesit e mundshëm të Shqipërisë, është pikërisht zoti Sheshi, i cili thotë se ka dhe një mbiemër tjetër, Shesha.

Autoriteti i dosjeve, i drejtuar nga një rilindase par excellance, pati pudorin, ose thënë shqip minimumin e cipës në faqe, që të thotë se zoti Sheshi është një monstër e sistemit të kaluar. Dy ditë debate pa fund: Sheshi apo Shesha.

Gjithë kjo lojë fjalësh bëhet nëse i sipërpërmenduri është rekretuar apo jo nga Sigurimi i Shtetit kur ishte 17 vjeç. What the fuck?! Po çfarë rëndësie ka nëse ke falsifikuar këtë detaj? Po ku ka histori më ulëritëse se kur pranon se 18 vjeç ke shkuar jeniçer në Shkollën e Ministrisë së Brendshme, se katër vjet më pas ke punuar si oficer i Sigurimit të Shtetit për 15 vjet rresht!

Është ulëritëse kjo që po ndodh. Si ka mundësi që reforma në drejtësi të prodhojë monstruozite të tilla? Si ka mundësi që 3 vjet pas shembjes së komunizmit të kemi një zbaticë të tillë vlerash? Imagjinoni për një çast sikur ti thoni një gjermani apo rumuni, se një ish kolonel i STASI apo Securitate do përcaktojë se kush do jetë prokuror i përgjithshëm dhe do emërojë gjithë prokurorët e tjerë.

Do ia kishim pranuar Ramës thuajse gjithçka, por që në vitin 2019, të bëjmë debat nëse një 60 e kusur vjeçar oficer i Sigurimit e ka mbiemrin Sheshi apo Shesha, është përtej çdo imagjinate.

Ka mijëra fëmijë të familjeve të majta që çdo vit mbarojnë studimet për drejtësi në universitet më me emër në botë. As Ruçi, ministri i fundit komunist, pavarësisht nostalgjisë nuk do ta bënte këtë gafë të tillë në sy të ambasadorëve, që gjithsesi kanë pak cipë në faqe dhe kanë firmosur miliona euro për Reformën në Drejtësi.

Gramozi nuk e di Habeas corpus, ndoshta magna carta mund t’ia ketë zënë veshi, por megjithate e nuhat se kohët kanë ndryshuar dhe gjërat nuk zgjidhen më me dajak.

Publikuar më parë tek TPZ.al.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>