Veliaj sulmon rrugaçërisht Kastriot Çipin

Veliaj sulmon rrugaçërisht Kastriot Çipin

Erion Veliaj sulmoi ashpër, në mënyrë rrugaçërore dhe jashtë çdo lloj standarti etik, duke e përçmuar dhe fyer Kastriot Çipin. Veliaj iu drejtua Çipit me fjalët “hajdut”, “i pandehur”, “burgaxhi”.

“Një drejtor i PD-së vodhi lekët e filmit. Nëse i pandehuri, që vjedh lekët e filmave, ka prova, duhet të shkojë në gjykatë. Dhe unë të gjithë i çoj në gjykatë dhe deri më tani kam fituar 7 me zero. Çdo burgaxhi ka inat shtetbërjen.

Në momentin që ai do kthejë 8 milionë lekë që ka vjedhur për filma, ne do të kemi më shumë lekë. Çdo hajdut të kthejë atë që ka marrë, Shqipëria do të ishte më e pasur. Ky, që është kapur dhe dënuar”, tha Veliaj dje në emisionin Opinion.

Reagimi i Kryebashkiakut erdhi pasi Kastriot Çipi tha në një deklaratë për Opinion se “Instituti i Ndërtimit në raportin për shembjen e Teatrit nuk përmend fjalët “e rrezikshme” dhe “shembje”, dhe se Bashkia Tiranë e miratoi ligjin special të teatrit pa konsultime me publikun.

Çipi iu përgjigj edhe akuzave të Veliajt përmes një reagimi në Facebook, ku shkruan:

“Faleminderit Erion Veliaj!

Në korrik 2018, një duzinë gazetash, televizionesh dhe portalesh pro-qeveritare, shpifën kundër meje duke thënë se jam i dënuar për vjedhje. Ti u tregove më i zgjuar se shërbëtorët e tu. E riciklove shpifjen duke folur në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, por nuk përmende emrin tim.

Sot në mbrëmje, në intervistë me gazetarin Blendi Fevziu, në emisionin Opinion, ti e humbe durimin dhe bëre gabimin fatal: shpife për mua me emër e mbiemër dhe jo vetëm kaq, por përdore fjalët “dënim penal”, “vjedhje”, “hajdut” etj. Tani do të të duhet t’i japësh gjykatës prova materiale për të provuar pafajësinë tënde, sepse unë do të të padis për shpifje.

Nuk do të të kërkoj ndonjë dëmshpërblim të madh, jo sepse ti nuk e meriton, jo sepse nuk e vlerësoj cënimin e imazhit tim përmes një emisioni me audiencë maksimale, por sepse, sipas ligjit, do të më duhet të paguaj paradhënie 2 përqind të shumës së kërkuar dhe nëna ime ka qëlluar ta ketë pensionin të vogël. Ajo jo vetëm nuk më bëri dot dhuratë dasmën në ndonjë kala, por me pensionin që merr nuk paguan dot ilaçet dhe trajtimet shëndetësore “falas”.

Një vit më parë, ti ishe sërish në studion e Opinion dhe po gënjeje, si zakonisht. Po thoje se muret e Teatrit kanë asbest dhe se shembjen e tij e kanë sugjeruar specialistët italianë të arkitekturës. Dhe këtë mashtrim, e thoje pa t’u dridhur qerpiku, duke tundur në dorë një libër të arkitektëve italianë, për trashëgiminë e arkitekturës italiane në Shqipëri.

I dërgova një sms Blendi Fevziut dhe ai ta lexoi në emision: E sfidoj zotin Veliaj të gjejë fjalën “asbest” në librin që ka në dorë.  Ti u zure ngushtë, si miu në çark dhe u mundove të dalësh nga situata duke i thënë gazetarit Robert Rakipllari “Se asbestin e the ti”!

Sot ti u irritove, sepse unë sërish të demaskova. Të thashë, përmes insertit se ke shpifur publikisht duke thënë se Instituti i Ndërtimit ka kërkuar shembjen e Teatrit, sepse është ndërtesë e rrezikshme. Të thashë se në asnjë rresht të raportit në fjalë, të cilin e disponoj, nuk gjenden fjalët “e rrezikshme” dhe “shembje”.

Së dyti të pyeta se pse ke shkelur Ligjin Special “Fusha”, që e kërkove me aq ngut, duke shkelur ligjin për konsultimet publike? Dhe ti e di që e ke shkelur, sepse afati i fundit për ty që të shpallje garën publike për projekte për Teatrin e ri Kombëtar ka kaluar më 13 dhjetor.

Prandaj ti sot e humbe durimin! Ishte i treti përgënjeshtrim dhe e treta akuzë publike imja për ty, në të njëjtin emision! Të trija pa përgjigje nga ana jote. Prandaj u detyrove të bësh atë që di të bësh më mirë: të përbaltësh individin!

Unë e di se do ta kem të vështirë në gjykatë, sepse “reforma në drejtësi” e babait tënd shpirtëror Soros dhe e vëllait tënd të madh (që të bie ta thërrasësh “Lali”) Rama i ka tredhur gjyqtarët që nuk e kanë kaluar ende vettingun.

E di se ti do ta ankimosh vendimin e shkallës së parë në Apel, e pastaj vendimin e Apelit në Gjykatën e Lartë. E di se ky proces mund të mbarojë pas 5 apo 10 vjetësh, por unë do ta bëj, thjesht për kënaqësinë e spektaklit që pres të shoh në procesin e shkallës së parë.

Nëse arrij ta fitoj shpejt dhe ndërkohë Teatri Kombëtar nuk është restauruar ende, ato para do t’ia dhuroj Fondacionit për Restaurimin e Teatrit Kombëtar!

Por një gjë e di me siguri: Teatri Kombëtar nuk do të shembet, por do të restaurohet! Rihapjen do ta festojmë me një premierë, ndoshta “Vizitën e Damës Plakë” të Dyrrenmatit, që do t’ia kushtoj atit (Rama), birit (Veliaj) dhe shpirtit të shenjtë (Soros).

Do ta gjeni veten të tre në atë dramë. Por do ta gjeni veten edhe në shkallët e hyrjes së Teatrit Kombëtar. Aty do të ketë një tapet me fytyrat tuaja, që njerëzit të mund t’i shkelin me këmbë duke hyrë.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>