Kryetari i PD-së Lulzim Basha i bëri thirrje qytetarëve të rezistojnë nesër, të mos shkojnë të votojnë. .
“Unë ju bëj thirrje të mos shkoni të votoni, të bojkotoni! Nëse jeni të detyruar të shkoni në qendrat e votimit nga hakmarrja e regjimit, rezistoni! Regjimit po i vjen fundi! Nuk kanë çfarë t’ju bëjnë! Ngrijeni zërin nesër në protesta në rrugë! Sfidojeni regjimin kudo! Në mënyrë paqësore! Nesër është dita për të treguar vullnet me bashkim, me qëndresë dinjitoze, me vendosmëri dhe jo dhunë!
Në këtë ditë të keqe për Shqipërinë, forca jonë janë vlerat që ne tregojmë, parimet mbi të cilat ne veprojmë! Ne duam të jemi europianë dhe duhet të sillemi si europianë! Nesër dhe çdo ditë!
Nesër duhet dhe do të dallohet qartë diferenca mes autokracisë kriminale të votimeve farsë dhe dinjitetit të një populli të tërë të bashkuar që sfidon regjimin”, — u shpreh Basha.
Basha i bëri thirrje qytetarëve të distancohen nga dhuna pasi ajo nuk sjell përfitim politik.
“Nesër në Shqipëri nuk ka zgjedhje, zgjedhjet janë mekanizmi si të vendosin, por nesër nuk ka zgjedhje. Zgjedhjet janë shprehje e vullnetit të lirë të njerëzve, por nesër nuk ka liri. Nesër do të shkelet ligji. Unë e di që shumë nga ju kanë dashur e pritur që nesër të mos kishte votime fars, por e vetmja mënyrë për ta arritur këtë do të ishte mënyra e dhunshme, që do të shkaktonte vëllavrasje e humbje njerëzore.
Dhuna nuk do të prodhonte as përfitime politike, por thjesht do të sillte një ndjenjë të rreme të triumfit të çastit. Unë dhe demokratët nuk besojmë te dhuna, ndaj dhe sot dua t’iu them të gjithëve, jini krenarë, sepse i keni bërë një shërbim të madh Shqipërisë, duke mos rënë pre e dhunës të orkestruar nga Rama. Ky regjim është plagosur për vdekje dhe do rrëzohet shumë shpejt.
Rama nuk kupton asnjë gjuhë tjetër, veç dhunës. Unë nuk besoj se dhuna është zgjedhje, unë besoj se forca jonë qëndron te këmbëngulja e drejtësia e asaj që kërkojmë, te bashkimi, durimi e kurajoja. Asnjë pushtet politik që del nga dhuna nuk ka sjellë kurrë asgjë të mirë për popullin. Nga dhuna nesër nuk përfiton askush përveç Edi Ramës. Dhuna dhe viktimat i vlejnë vetëm Ramës. Rrëzimi i Ramës nuk do të vijë duke përplasur shqiptarët, duke goditur e rrahur njëri-tjetrin.”