Protesta për mbrojtjen e Teatrit Kombëtar është zhvendosur tashmë brenda ambienteve të tij.
Artistë dhe qytetarë të shumtë, pasi u përplasën me policinë arritën të futeshin në ambientet e Teatrit duke u vendosur në sallën qendrore, aty ata kanë bërë sërish thirrje që ndërtesa të mos shembet.
Përplasja nisi sot pasi policia kërkoi, që në orët e para të ditës, të siguronte nxjerrjen nga godina të materialeve teatrore, kjo me synimin që ndërtesa të lirohet e të vazhdohet më pas me shembjen.
Pasi policia dhunoi regjisorin Edmond Budina, qytetarë të shumtë iu përgjigjën thirrjes së artistëve për të mbrojtur teatrin. Thirrjes iu përgjigj edhe Partia Demokratike e cila me anëtarë dhe mbështetës të saj iu bashkua protestës rreth orës 10:00.
Rreth një orë pasi protesta u bë edhe më e madhe, policia u gjet e papërgatitur kur qytetarët hapën derën tjetër të Teatrit dhe u futën brenda ambienteve të tij.
Me të hyrë në ambientet e teatrit, regjisori Edmond Budina iu drejtua skenës, ku në mënyrë simbolike e ka puthur atë duke thënë më pas:
Kishte shumë kohë që nuk hyja në këtë Teatër ndaj edhe u përkula dhe e putha këtë skenë. Aty kam “vdekur”, dhe ajo erë që më erdhi në vitin 1979 më erdhi sërish. Ata duan vetëm të mbushin xhepat, një njeri që tërheq pas popullin e vet vetëm nga vjedhja e oligarkëve. Lutem të gjithë bashkë të jemi në mbrojtje të trashëgimisë tonë. Kjo që po ndodh është një krim, dhe të gjithë së bashku duhet ta mbrojmë. Në emër të shqiptarëve në emër të shpirtit e artistit shqiptar mos e shembni këtë Teatër, këtë pasuri kombëtare që t’ju themi brezave se këtu kanë luajtur artistët e kombit shqiptar.