Ndërsa nuk e kemi parë kurrë të shkëlqejë ndonjëherë në skenë, Bruno Shllakun e shohim të shkëlqejë fort në murin e Kryeministrit dhe skenën e deklaratave politike kundër teatrit.
Duke riprodhuar të gjitha mashtrimet e Ramës dhe Veliajt, Shllaku flet me përçmim për godinën e teatrit, të cilën e konsideron një stallë, që duhet shembur për të ndërtuar një godinë të re moderne:
“Përsa i përket çështjes së Teatrit, më vjen keq se shumë nuk e dinë që është një godinë që i përket një stalle kuajsh, që Italia fashiste e ndërtoi për kapanon truprojesh. Ajo vërtetë që ka vlera, por do të marrë vlera më të mëdha kur të bëhet një godinë e re, bashkëkohore që t’i përkasë Teatrit të Tiranës, i cili shumë shpejt do të jetë në bashkëbrinj me qytete të mëdha të Europës. Reliket, figurat, objektet e suveniret e atij teatri, do të jenë në një seli të shenjtë si Teatri i Ri modern, që jam i bindur se do të ndërtohet.“
Godina nuk ka qenë kurrë stallë apo kapanon, por, siç është thënë e stërthënë, është ndërtuar si një vepër e rëndësishme arkitekturore, për zhvillimin e jetës artistike në vend, duke pasur brenda një sallë për shfaqje teatri, opera e kinemaje, një mjedis për bibliotekën e qytetit, si dhe disa mjedise të tjera argëtuese si pishina, bari, restoranti e një fushë tenisi.
Pyetja më e thjeshtë që mund të bëhet është: Në cilin vend të botës ndërtohen stalla kuajsh me sallë teatri brenda, me kapacitet prej 800 vendesh, me një skenë të jashtëzakonshme me një akustikë të mrekullueshme dhe kushtet më të mira të kohës për të luajtur teatër?
Në cilin vend të botës, një stallë kuajsh apo kapanon ushtarësh ndërtohet në qendër të kryeqytetit nga një prej arkitektëve më të mirë italianë të kohës, – Giulio Berte, – si pjesë e një ansambli arkitekturor të rëndësishëm, siç është kompleksi Skënderbeg?
Në cilin vend të botës, një kapanon ushtarësh ndërtohet duke hartuar një projekt arkitekturor futurist avanguardë, të realizuar me materialet e ndërtimit më të avancuara të kohës, siç është godina e teatrit?
Megjithatë, mesa duket, logjika nuk është diçka e domosdoshme për zotin Shllaku. Ai thotë se kjo “stallë kuajsh” megjithatë ka vlera, por “do të marrë vlera më të mëdha kur të bëhet një godinë e re, bashkëkohore”. Pra, vlerat e godinës mund të shtohen pasi ajo të zhduket, dhe reliket, suveniret dhe objektet e historisë së saj, mund të strehohen në godinën e re, e cila, sipas tij, do të ketë vlera të së shenjtës – një “godinë e shenjtë moderne”.
Vetëm zoti Shllaku arrin të shohë shenjtëri te një objekt i ri, ende i pandërtuar dhe pa histori, ndërsa profanizon dhe përbuz një objekt që po shkon drejt 100–vjeçarit, në të cilin ka lindur dhe është bërë historia! Jo vetëm kaq, por ai e shikon teatrin e ri si të denjë për të qëndruar “në bashkëbrinj me qytete të mëdha të Europës”, paçka se teatrot e tyre janë kudo qindravjeçarë dhe pa kulla qiellgërvishtëse pranë!
Si një militant i verbër partie, aktori nuk ngurron ta përsërisë në mënyrën më bajate retorikën e Veliajt, duke i krahasuar protestat për teatrin, me ato të parkut të liqenit, të cilat, në syrin e tij rezultuan me fitoren e Bashkisë dhe nënshtrimin e protestuesve:
“Më vjen mirë që gjithmonë gjërat e mira vazhdojnë sipas traditës klasike, të lindin me vështirësi. Kam parasysh për analogji momentin e parkut të Liqenit, kur u vërsulën i madh e i vogël me drurë e me shkopinj dhe mjete rrethanore për ta ndaluar të bëhej, dhe po ato njerëz vijnë dhe gjejnë qetësi dhe kënaqen, ndoshta – ndoshta edhe mburren në heshtje.”
Natyrisht, nuk po ndalemi të kërkojmë kuptim në faktin që zoti Shllaku gjen kënaqësi kur gjërat e mira vijnë me vështirësi dhe jo me lehtësi, dhe aq më tepër në vlerësimin e tij se ky fakt qenkësh një “traditë klasike”! Përtej “klasicizmit” qesharak të mënyrave të tilla pa kuptim të të shprehurit, nuk mund të mos konstatojmë lehtësinë lebetitëse me të cilën një artist e shet veten te pushteti. Të përdorësh argumentet e një mashtruesi të kalibrit të Erion Veliajt për të sulmuar kolegët e tu, duke i përshkruar ata si huliganë që sulmojnë projektet zhvillimore e modernizuese, me hunj dhe drunj, është pak të quhet e shëmtuar.
Gjithashtu, cinizmi dylekësh i këtij argumenti, që fantazon sikur kundërshtarët e betonizimit të parkut vijnë e çlodhen sot tek ai, është bajat. Edhe në qoftë e vërtetë se ndonjëri prej tyre i shëtit fëmijët aty (ku tjetër mund t’i shëtisësh fëmijët pranë qendrës së Tiranës së Veliajt?), kjo nuk rrëzon asgjë nga argumentet kundër këtij projekti, që ka hedh beton në një park kombëtar.
Shqetësimi i Bruno Shllakut nga Shkodra për fëmijët e kryeqytetit që kanë nevojë për lodra, teksa trashëgimia e këtij qyteti dhe godina historike e Teatrit kombëtar po shembet paturpësisht, është ironia më fortë e këtij përdorimi të turpshëm politik që rilindja po i bën një kategorie artistësh, të zgjuar tashmë nga harresa, gjatë kësaj epoke ricilimi fantazmash me përdorim të përkohshëm.
Eshtë e trishtë të shohësh sesi artistët e stallave të rilindjes hedhin shqelma mbi kulturën dhe trashëgiminë e vendit. Sido që të shkojë fati i kësaj godine, turpi i tyre do të mbahet mend gjatë.