Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi dje të rihapi garën për Inspektor të Lartë të Drejtësisë, pasi kanë mbetur vetëm katër kandidatë, nga pesë që përcakton Kushtetuta.
Neni 147/d i Kushtetutës përcakton se KED duhet të rendisë pesë kandidatë për në ILD.
“Inspektori i Lartë i Drejtësisë zgjidhet nga lista e pesë kandidatëve të përzgjedhur dhe renditur mbi bazën e meritave nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sipas një procedure transparente dhe publike.”
Në një artikull te mëparshëm kemi paralajmëruar për se gara për ILD duhet të rihapet për shkak të mungesës së kandidatëve.
Fillimisht, në garën për postin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ishin 12 kandidatë. KED duhet të shqyrtonte nëse ata i plotësonin apo jo kriteret e përcaktuara në ligjin 115/2016, “Për organet e Qeverisjes së Sistemit të Drejtësisë”.
Pas vlerësimeve paraprake, KED skualifikoi nga gara një pjesë të kandidatëve, pasi nuk kishin plotësuar sipas kërkesave dokumentet e nevojshme për kandidim.
ILD është institucioni përgjegjës për verifikimin e ankesave dhe fillimin e hetimit administrativ ndaj gjyqtarëve, prokurorëve dhe anëtareve të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Prokurorisë.
Sipas Kushtetutës, ILD duhet të ishte formuar në shkurt–mars 2017 (2 vjet e gjysmë më parë), 6 muaj pasi amendamentet kushtetuese të reformës në drejtësi hynë në fuqi.