Teksa Kuvendi pritet të miratojë sot dy koncesionet me vlerë rreth 360 milionë euro për rrugët Milot-Balldre dhe Orikum Dukat, kreu i PD Lulzim Basha tha se “këto kontrata korruptive janë grabitja më e madhë që po i bëhet shqiptarëve në 30 vitet e pluralizmit.”
Në një konferencë për shtyp, Zoti Basha u shpreh:
“Në këto momente pak metra pas meje në kuvendit e cunguar, landfillin e Republikës së Shqipërisë po finalizohet grabitja më e madhe në historinë 30-vjeçare në historinë e pluralizmit: koncesioni i rrugës Milot-Balldren i Ndue dhe Agim Kolës me vjelë 296 milionë euro dhe koncesioni i rrugës Orikum-Dukat i Lorenc Gjikurisë me vlerë 70 milion euro.”
Zoti Basha paralajmëroi deputetët që do të votojnë pro kësaj vjedhjeje, se do të hetohen nga ligji i antimafias, sapo PD të vijë në pushtet:
“Vetëm një parlament ilegjitim i përbërë jo nga burra e gra që përfaqësojnë socialistët, por skllevër të krimit e oligarkëve mund të votojnë kontrata të tilla. Vetëm një parlament peng i krimit e oligarkëve mund të bëhet noter i kësaj vjedhjeje me ligj.
Dua të paralajmëroj çdo anëtar të seancës që ngre dorën për të votuar këtë vjedhje me ligj se nesër do të jetë subjekt i ligjit antimafia. Sot po ju vëzhgojmë dhe mbajmë shënim emrat, nesër do tu ndjekim këmba-këmbës çdo qindarkë, çdo shpenzim në Shqipëri dhe jashtë saj, çdo pronë dhe pasuri e juaja do të jetë në lupën e ligjit antimafia dhe të SPAK-ut.”
Lulzim Basha tha se dëmi i këtyre kontratave korruptive në ekonominë shqiptare, rezultat i politikës kriminale ekonomike të Ramës, është i pallogaritshëm dhe do të rëndojë mbi taksapaguesit shqiptarë për dekada të tëra:
“Formula e vjedhjes së parave tuaja është shumë e thjeshtë, fryhet disa here kostoja e rrugëve, dhe gjithë fondet e fryra i merr Edi Rama, qeveritarët e korruptuar dhe klientët e tyre
Pasojat e këtij aktiviteti kriminal qeveritar janë shkatërrimtare për vendin, dhe kanë pasoja të rënda politike, në kuptimin e kapjes së shtetit nga krimi dhe ndaljen e procesit të integrimit të vendit.“
Në gusht, presidenti Meta nuk dekretoi dhe ktheu në kuvend ligjet për koncesionin e rrugës Orikum-Dukat dhe rrugës Milot-Balldren.
Meta i ktheu dy koncesionet me argumentin kryesor se kishin kosto të fryra, shkelnin parimet e konkurrencës së lirë dhe barazisë përpara ligjit, nuk ishin transparente dhe cënonin interesin publik dhe financiar të vendit.
Megjithatë, socialistët në Komisionin e Ekonomisë, një muaj më vonë, në 3 shtator, rrëzuan dekretet e presidentit dhe miratuan sërish dy koncesionet me vlerë rreth 360 milionë euro.
Sot shumica socialiste pritet t’i miratojë për herë të dytë të dy koncesionet në kuvend.