Policia njoftoi pasditen e së enjtes arrestimin e 8 personave dhe shpalljen në kërkim të 3 të tjerëve pasi dyshohen se janë përfshirë në kultivim narkotikësh në Fushë Krujë.
Sipas raportimit në media, policia veproi përmes dy aksionesh të koduara “Arrameras 3” dhe “Gramëz 2”. Nga aksionet e policisë u sekuestruan rreth 350 bimë kanabis, 9 kilogramë boçe kanabisi dhe mbi 50 fishekë.
Këto janë aksionet e radhës që policia kryen në rrethinat e Krujës. Në gusht ajo arrestoi 19 persona dhe shpalli në kërkim 7 të tjerë.
Pa deklaruar sasi marijuane të asgjësuar, policia deklaroi asokohe se grupi bashkëpunonte me njëri-tjetrin dhe kultivonte narkotikë në 7 fshatra të Krujës: Shkretë, Mafsheq, Nojë, Picrragë, Brret, Borizanë dhe Qafë Shtamë. Gjatë atij operacioni u sekuestruan armë dhe mbi 30 celularë.
Prej fillimit të gushtit ka pasur raportime për rritje të kultivimit të narkotikëve. Zëri i Amerikës (VOA) raportoi se kultivimi i drogës në jug të vendit qe rritur, duke u kthyer edhe në fshatin Lazarat. Këtë konstatim e përforcoi edhe një dokumentar i Rai 3 ku thuhej se një e treta e territorit shqiptar është mbjellë këtë vit me kanabis.