Kryeministri Edi Rama do të padisë Kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj në gjykatat e Kosovës për shpifje. Kështu deklaroi Rama në emisionin “Opinion”, të enjten, mbi deklaratën e supozuar të Haradinajt se kryeministri Rama në bashkëpunim me Vuçiçin dhe Thaçin do të grabisnin 10 miliardë € gjatë ndarjes së Kosovës.
Kjo është hera e parë në historinë e marrëdhënieve Kosovë-Shqipëri që një zyrtar i lartë kërcënon homologun e tij.
Gjatë emisionit, Rama në mënyrë të vazhdueshme e quajti Haradinajn një “gënjeshtar”, duke shtuar se ai “gënjen në mënyrë të paskrupullt”:
“Për 10 miliardshin po përgatis, jo unë, unë kam një zyrë të posaçme të anti-shpifjes. Në gjykatat e Kosovës zotëria do të duhet të vijë të provojë akuzën për 10 miliardë që do ndaheshin në tavolinë midis meje, Hashim Thaçit dhe Presidentit të Serbisë. Por një gjë ditë të them unë, këtyre lloj politikanëve bravo u qoftë që gjejnë dhe bëjnë i them unë… Dmth që ti thuash një populli që ishin 10 miliardë në sofër dhe do të ndaheshin midis këtyre të treve që ranë dakord të ndanin Kosovën dhe të marrësh akoma vota… Ata që votojnë për këtë lloj politike ato qofshin dhe bravo u qoftë!”
Në fakt deklarata e ish-Kryeministrit Haradinaj nuk duket se thotë se treshja — Rama, Vuçiç dhe Thaçi — do të përfitojnë personalisht nga 10 miliardë eurot e përmendura prej tij. Në intervistën e tij për emisionin “360gradë” në Ora News, me 17 tetor, Haradinaj deklaroi se nëse miniera e Trepçës i jepej Serbisë, sipas planit të supozuar për shkëmbimin e territorit ndërmjet dy vendeve, Kosova do të humbiste 10 miliardë euro fitime. Haradinaj shtoi se ky plan u ideua nga presidentët e Kosovës dhe Serbisë dhe u mbështet nga Kryeministri Rama.
Sipas llogaritjeve të Haradinajt, fitimet nga miniera e Trepçës për 20 vitet e ardhshme do të ishin rreth 10 miliardë euro, nëse investohen fillimisht 140 milionë euro. Ai shtoi se dorëheqja e tij në korrik dhe zgjedhjet e parakohshme e bllokuan planin për shkëmbimin e territorit:
“Ndalova grabitjen 10 miliardë euro, që do të realizohej, nëpërmjet planit të ndarjes së Kosovës! Ky dhe ishte pikësynimi i fshehtë ekonomik, në planin e shkëmbimit të territoreve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Thaçi, Vuçiç dhe Rama, ishin bashkëpuntorë në realizimin e kësaj skeme. Por unë e ndalova këtë grabitje dhe miniera e Trepçes, sot e prej dy muajsh, i përket vetëm Kosovës”.
Haradinaj, gjithashtu, tha se ndër arsyet e shkarkimit të ish-ministrit Ditmir Bushati ishte kundërshtia e tij për shkëmbimin e territorit. Ai tha se diplomatët e huaj i kanë thënë se ministri në detyrë Gent Cakaj, më herët edhe zëvendësministër, e kishte mbështetur dhe kishte lobuar te ndërkombëarët për këtë plan.
Mbetet për t’u parë nëse Rama do ta padisë vërtet Haradinajn. Deklarata e tij vjen në një kohë kur kryeministri i Shqipërisë po përballet me kritika pasi BE-ja e shtyu vendimin për hapjen ose jo të negociatave.
I gjendur në mes të kritikave kur Bild botoi përgjime për vjedhjen e supozuar të votave në Durrës dhe Dibër, edhe atëherë Rama deklaroi se do ta padiste në gjykatat gjermane gazetarin e Bildit Peter Tiede. Megjithatë, deri me sot, mëse katër muaj më pas, Rama nuk e ka paditur atë.