Kryeministri Edi Rama prezantoi sot përpara Këshillit të Përhershëm të OSBE-së në Vjenë programin e Shqipërisë si kryesuese e saj.
Duke falenderuar Kryesuesin e shkuar, Kryeministrin sllovak Miroslav Lajcak, zoti Rama tha se ai do të shërbejë për të si pikë referimi. Zoti Rama përshkroi me shaka politikat e OSBE-së:
“[…] në qeveri, OSBE më duket shumë e ashpër, ndërkohë që kur isha në opozitë më dukej shumë e butë”.
Gjatë fjalimit të tij Kryeministri theksoi se kryesimi i OSBE-së është një mundësi historike për Shqipërinë, që rreth 45 vite më parë ishte një Kore e Veriut që refuzoi të bëhej pjesë e saj.
Zoti Rama tha se në OSBE përgjegjësia ndahet mes 57 vendeve dhe për këtë kërkoi angazhim dhe vizion politik të përbashkët për të arritur objektivat kryesore të përhershme siç janë dialogu, paqja, demokracia dhe parimet bazë të Helsinkit për mbrojtjen e të drejtave territoriale dhe të drejtave të njeriut. Si negociatë të parë ai u kërkoi vendeve anëtare miratimin e buxhetit të unifikuar, të cilin Kryeministri Rama e cilësoi propozim realist.
Në këtë pikë zoti Rama tha se Presidenca e Shqipërisë do të kishte si synim kryesor mbështetjen e marrëveshjeve të nënshkruara për shuarjen e konflikteve dhe nxitjen e respektimit të tyre. Ai tha se çështja e Ukrainës do të ishte kryesore dhe se për këtë, për punë javësh, do të ishte vendi i parë që do të vizitonte si kryesues i OSBE-së.
Kryeministri u shpreh se do të punohej për forcimin e bashkëpunimit, nxitjen dhe respektimin e lirisë së shprehjes, kundër përhapjes së armëve dhe krimit të organizuar.
“Duke qenë shumë prej sfidave vijnë përtej rajonit të OSBE, na duhet të përforcojmë platformat e dialogut me partnerët aziatikë e mesdhetarë për bashkëpunim. Situata aktuale në brigjet jugore është një shembull se sa ngushtë e ndërlidhur është siguria jonë e përbashkët. Me që ra fjala, po flas në emër të një vendi që u etiketua si një vend djallëzor në mes të Europës nga autoriteti i lartë i regjimi totalitar i Teheranit”.
Gjatë Presidencës së Shqipërisë është programuar zhvillimi i disa konferencave të nivelit të lartë në Tiranë, dy prej së cilave do jenë për luftën kundër korrupsionit dhe tolerancën.
Për tolerancën, zoti Rama tha se do të kishte angazhim prej faktit se vitet e fundit është parë e nevojshme një reagim përballë ekstremizmit dhe gjuhës së urrejtjes. Duke përfituar nga fakti se ky vit shënon 75-vjetorin e mbylljes së kampeve gjermane të Luftës së Dytë Botërore, zoti Rama tha se në Tiranë kishte planifikuar të zhvillonte konferencë kundër antisemitizmit.
“Ne ishim vendi që kishim më shumë hebrenj pas luftës se më parë. Si shoqëri që jeton në vëllazëri fetare, ne e njohim vlerën e saj dhe do të ndihmojmë të ndajmë përvojën tonë të kësaj harmonie.”
Duke kujtuar faktin se ky vit shënon 20-vjetorin e nënshkrimit në Këshillin e Sigurisë në OKB të rezolutës 1325, për gruan, Zoti Rama tha se promovimi i gruas dhe lufta kundër dhunës ndaj tyre do të ishte ndër prioritetet kryesore të Presidencës së Shqipërisë.
“Duke qenë se kam një qeveri që është krenarisht në pesëshen botërore për balancën gjinore, ju siguroj që sa më shumë gra të angazhohen në punë reale aq më shumë punë reale do të bëhet”.
Përpara fjalimit, zoti Rama u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të OSBE-së, Thomas Greminger, i cili shprehu mbështetje për punën që pret përpara Shqipërinë.