Dy ditë më parë, shumica socialiste miratoi në kuvend ndryshimet në ligjin “Për shpronësimet”, propozuar nga Ministria e Infrastukturës.
Sipas ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku, ndryshimet e sapomiratuara do të lehtësojë procedurat e shpronësimit, me synim planifikimin si dhe përqendrimin e kompetencave të institucionit përgjegjës për shpronësimet.
Por siç Exit News ka shpjeguar dhe më parë, ndryshimet parashikojnë krijimin e Agjencisë Shtetërore për Shpronësimet, në varësi të Ministrisë së Infrastukturës, e cila do të jetë përgjegjëse për të gjitha procedurat e shpronësimit.
Por krijimi i një institucioni të tillë cenon frymën e ligjit dhe krijon hapësirë për abuzime, veçanërisht për zgjerimin e qëllimeve për të cilat mund të shpronësohet prona publike.
Deri më sot, vlerësimi i kritereve dhe kushteve ligjore për shpronësim e një prone bëhej nga ministria përkatëse. Ajo propozonte projektin që kërkon shpronësim dhe është e detyruar të përdorë ekspertë të pavarur për vlerësimin:
“Anëtarët e komisioneve duhet të jenë nëpunës ose ekspertë të pavarur, me përvojë dhe kualifikim të posaçëm në fushën juridike, ekonomike dhe inxhinierike, të cilët, në çdo rast, nuk duhet të kenë lidhje fisnore apo krushqie me të shpronësuarit, ose lidhje interesash të çdo lloji me palët e interesuara për shpronësimin.”
Qeveria tashmë këto kompetenca ia ka kaluar Agjencisë, duke eleminuar vlerësimet e pavarura dhe duke përqëndruar çdo gjë në një institucion të vetëm, në varësi të saj.
Nga ana tjetër miratimi i këtyre ndryshimeve ligjore shton mundësinë e kundërshtimit të vendimeve të qeverisë për shpronësime në Gjykatën e Strasburgut.
Në praktikë shpronësimi ndodh rrallë, për shkak se jo çdo ditë kemi projekte apo investime. Sipas të dhënave në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, numri i shpronësimeve në Shqipëri është i ulët – rreth 20 në vit.
Ligji i mëparshëm përcaktonte se për të shqyrtuar kërkesat për shpronësim ngrihen komisione të përkohshme, veprimtaria e të cilave mund të zgjasë për disa javë apo muaj. Ndërsa ndryshimet e reja përcaktojnë se do të kemi një institucion qeveritar që do të funksionojë në mënyrë të përhershme.
Ngritja e kësaj strukture qeveritare ngre dyshime se ky numër mund të vijë duke u rritur në të ardhmen.
Ky ligj vjen dhe në një kohë kur Kryeministri Edi Rama ka përgatitur një skemë të rrezikshme të përdorimit të pronave publike, rezultati i së cilës do të jetë tjetërsimi i bregdetit dhe pasurive të tjera publike të vendit, nëpërmjet Korporatës së Investimeve.
Qeveria miratoi së fundmi ligjin “Për Korporatën e Investimeve”, e cila është një kompani shtetërore që do të marrë në pronësi për të menaxhuar dhe për t’i përdorur për investime, të gjitha pronat shtetërore dhe publike të vendit.
Me anë të këtyre lëvizjeve duket se qeveria po lehtëson procesin e shpronësimit, në favor të klientëve të saj.