Ministria e Arsimit vendosi sot heqjen e licencës për shkollën jopublike ‘Udha e Shkronjave’ për përhapje paniku në lidhje me koronavirusin.
Lajmin e bëri publik ministrja e Arsimit Besa Shahini përmes një statusi në Facebook, në të cilin thotë se shkolla mbyllet jashtë planit të vitit shkollor vetëm me urdhër të ministrit dhe paralajmëroi ndjekjen penale të drejtuesve për përhapje paniku:
“Udhëheqësit e një shkolle private kishin vendosur të mos respektonin këtë dhe e kanë mbyllur shkollën për 2 javë. Në kushte të kësaj paligjshmërie, jemi të detyruar që shkollës t’ia heqim licencën.
Nxënësit do të transferohen në një shkollë tjetër. Ndërsa udhëheqësit e shkollës që përhapin panik duke mbyllur shkollën në mënyrë të jashtëligjshme, për gjoja parandalim të një situate virale e cila NUK ekziston në Shqipëri, duhet të ndiqen nga organet e drejtësisë.”
Një ditë më parë, drejtuesit e shkollës ‘Udha e Shkronjave’ lajmëruan nxënësit e tyre se kanë vendosur të mbyllin shkollën për të paktën 2 javë për shkak të frikës nga koronavirusi.
“Ky vendim nuk duhet parë si reflektim i ndonjë informacioni konfidencial, por si pjesë e dyshimit tonë. Do të thotë që ne nuk kemi informacione më shumë se sa jepen në publik dhe sa dini ju, por marrim masa të natyrshme që prindërit të kenë kohë të marrin masa edhe më të forta në rast se është e nevojshme”, – shkruhej në njoftimin e shkollës “Udha e shkronjave”.