Ndërsa gjendja e koronavirusit po përkeqësohet, Kryeministri Edi Rama dhe kreu i PD-së Lulzim Basha janë përfshirë në akuza me njëri-tjetrin në lidhje me masat për të ndalur përhapjen e koronavirusit.
Fillimisht, Basha akuzoi qeverinë se ka shpërndarë tek mjekët 1 milion e 200 mijë maska kirurgjikale të skaduara, duke vënë në rrezik jetën e tyre, duke treguar se shteti është i papërgatitur për të luftuar koronavirusin.
Këtyre akuzave, Rama iu përgjigj me një status në Twitter, ku shkroi:
“Ka vetëm një palë maska të dëmshme në Shqipëri: maskat e atyre që dhe kur ky vend lufton me jetën nën gërmadhat e tërmetit apo me një virus kërcënues për planetin,s’ndalen së kërkuari pushtet me shpifje, sherr, rrëmujë! Po përsëri Shqipëria do t’ia dalë sepse shqiptarët s’janë vetëm!”
Rama e vazhdoi kundërpërgjigjen në mbledhjen e qeverisë ku tha:
“Të thuash që këto janë maska të rrezikshme thjesht e vetëm të duash të përhapësh panik apo të harrosh që sot nuk është koha për të luftuar me qeverinë por të luftojmë bashkë si shqiptarë dhe për shqiptarët kundër një armiku që e ka nxjerrë botën nga binarët kundër gadishmërisë së vet.
Kjo e maskave është njësoj si e karantinës për të cilën sot bashkë me maskat u pretendua se ishte prova flagrante e kapjes mat të qeverisë.”
Basha iu kundërpërgjigj në Twitter duke i kërkuar Ramës ta lërë propagandën dhe të marrë masa reale për të mbrojtur qytetarët shqiptarë. Për të tërhequr menjëherë vëmendjen e Ramës, Basha e bëri tag Ramën në mesazhin e tij:
“Boll me justifikime që fshehin dështimin, boll me gënjeshtra që fshehin paaftësinë, bëj detyrën dhe merr masa reale kundër epidemisë, për hir të gjithë shqiptarëve. Në vend që të sulmojë opozitën @ediramaal duhet të japë llogari pse ka shpërndarë 1.2 milionë maska të skaduara?
Gënjeshtrat dhe sulmet kundër opozitës nuk i shërbejnë as sigurisë dhe as jetës së shqiptarëve! Janë mijëra burra, gra dhe femijë që duhen mbrojtur. Jemi në situatë emergjence që kërkon seriozitet dhe përgjegjshmëri. Dhe jo shfaqje me maska të skaduara mbi fytyra të skaduara.”
Pas kësaj, Kryeministri Rama iu përgjigj, duke i bërë edhe ai tag Bashës, po në Twitter, duke i kërkuar të mos bëjë politikë në këtë moment delikat për vendin dhe e paralajmëroi se po bën krim duke nxitur panik mes qytetarëve me të pavërteta:
“Nëse ty s’të duket luftë kjo e njeriut me virusin e panjohur,quaje gjendje e jashtëzakonshme a si të duash! Po vare të paktën atë fyell në mur e kurseja Shqipërisë avazin politik,se s’është koha për politikë kjo, po ora për t’i shërbyer popullit me forcën e shembullit njerëzor!
@lulzimbasha_al ndërroje maskën dhe orën, se kjo është një orë e rëndë për Shqipërinë dhe nuk je as ti, as partia jote halli i këtij populli sot, e s’ta ka borxh askush të të shpjegojë tre herë në ditë që s’është gabim, po është faj në mos krim të nxisësh panik me të pavërteta!”