Administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kundërshtoi të mërkurën vendimin e qeverisë së Albin Kurtit për të vendosur reciprocitet në shkëmbimet tregtare me Serbinë.
Përmes një deklarate për shtyp nga Ambasada Amerikane në Prishtinë, administrata e Presidentit Trump theksoi se:
“SHBA-të kanë qenë të qarta që Kosova duhet të heqë të gjitha tarifat dhe të mos krijojë barriera të reja sepse këto politika dëmtojnë popullin e Kosovës dhe i zënë frymën ekonomisë së vetë Kosovës. Mbetemi kundër masës së fundit për të vendosur masa reciproke për lëvizjen e mallrave nga Serbia.
Këto masa krijojnë më shumë probleme në një kohë kur SHBA-të besojnë se marrëveshjet për linjën ajrore dhe hekurudhave, të rëna dakord nga të dy palët, kur të zbatohen, do të rrisin zhvillimin ekonomik dhe do të krijojnë kushtet e nevojshme për një dialog të suksesshëm.”
Më 1 prill qeveria e Albin Kurtit hoqi tarifën 100 për qind ndaj mallrave serbe dhe boshnjake, por vetëm ndaj shkëmbimeve tregtare me Serbinë vendosi masa reciprociteti.
Në një deklaratë në Facebook, Kurti arsyetoi se masat e tij nuk do ta dëmtonin Kosovën, përkundrazi do t’i jepnin një pozitë të barabartë përballë Serbisë:
“Nuk ka asnjë zhvillim të qenësishëm të rajonit tonë nëse lejohen përpjekjet që e pozicionojnë si të pabarabartë Kosovën dhe qytetarët e saj. Andaj vendimi ynë [për reciprocitet] afirmon raportet e barabarta ndërshtetërore, respektimin e drejtave universale dhe krijon klimën e drejtësisë në mes shoqërive.”
Kryeministri në detyrë i Kosovës përmendi masat dhe tarifat që Serbia aplikon ndaj shkëmbimeve tregtare me Kosovën si: mosnjohja e pasaportave, letërnjoftimeve, patentave, diplomave, dokumentacionet shtesë për kalimet tranzite, mosnjohja e automjeteve të regjistruara në Kosovë, apo mosrespektimi i marrëveshjes dypalëshe për etiketim të produkteve.
Kurti shprehet se zbatimi i masave të reciprocitetit do të jetë “gradual dhe si përgjigje proporcionale me sjelljen e autoriteteve të Serbisë”.
Prej vitit 2018 Kosova dhe Serbia kanë ndërprerë dialogun për normalizimin e marrëdhënieve. Ndërprerja u bë prej Serbisë, pasi qeveria e Ramush Haradinajt vendosi tarifë 100 për qind ndaj mallrave serbe e boshnjake.
Gjatë vitit 2019 dhe muajt e fundit SHBA-të ka bërë vazhdimisht thirrje për heqjen e tarifës dhe rikthimin në dialog pa kushte.