9 të infektuar të rinj me Covid-19 u zbuluan në 24 orët e fundit, një shifër më e ulët se ajo e një dite më parë, 8 prill, kur u zbuluan 17 të infektuar të rinj.
3 prej tyre janë në Elbasan, ndërsa 6 në Tiranë.
Në Elbasan, të infektuarit e rinj janë një çift bashkëshortësh dhe një burrë 45-vjeçar. Të tre janë infektuar në lokalin që vazhdonte të punonte në shkelje të ligjit dhe ku janë infektuar deri tani 14 persona, përfshi dhe vetë pronarët e lokalit.
Kjo vatër konsiderohet e rrezikshme në Elbsan sepse vetëm në ditët e fundit, lokali është vizituar nga të paktën 100 persona, të cilët ISHP po i gjurmon.
Aktualisht në Elbasan janë 15 persona të infektuar.
Në Tiranë, dy prej të infektuarve të rinj janë policë, një në Tiranë dhe një Vorë.
Nuk dihet ende se si janë infektuar ata. Disa prej kolegëve të tyre janë futur në izolim dhe po presin rezultatet e testeve. Një prej policëve të infektuar shërbente për pritjen e qyetarëve tek Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Kjo e fundit është dezinfektuar të enjten 9 prill.
Për 4 pacientët e tjerë nuk ka ende informacion.
Në total në Tiranë ka 196 të infektuar ose sa 48 për qind e totalit.
Mes 409 rasteve në gjithë vendin, 165 janë shëruar dhe 22 kanë humbur jetë. Aktualisht 222 raste janë ende aktive.