Nga e hëna 13 prill, dyqanet, farmacitë dhe bankat do të zgjerojnë oraret e punës dhe do të qëndrojnë hapur deri në orën 17:30.
Kryeministri Rama lajmëroi, më 10 prill, se në rast se kurba e infeksionit do të vazhdojë të ketë trend rënës, javën e ardhshme qeveria do të lehtësojë masat shtrenguese për përdorimin e makinave, si dhe do të lejojë nisjen e punës për disa kategori biznesesh.
Po ashtu, qeveria po punon për një plan dhe rregullore bazë sigurie për bizneset që do të hapen në javët e mëtejshme.
Me trendin rënës të deritanishëm të rasteve të reja me Covid-19, Rama parashikon se në fund të majit pjesa më e madhe e bizneseve do t’i jenë rikthyer normalitetit, brenda rregullave strikte të sigurisë.
Më 10 prill, ISHP njoftoi se 7 persona të rinj me Covid-19 janë identifikuar. Në ditët e fundit ka pasur një trend rënës të të infektuarve ditorë të cilët janë luhatur nga 6 deri në 17 për ditë. Javën e kaluar, në ditën më të mirë kishte 16 të infektuar të rinj, ndërsa në ditën më të keqe kishte 29 të infektuar të rinj.