Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH) ka anuluar tenderin e rindërtimit të 2500 shtëpive të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
Anulimi është zyrtarizuar në faqen e Agjencisë së Prokurimeve Publike (APP) me njoftim të thjeshtë, pa datë, në të cilin thuhet:
“FSHZH […] bën me dije se, për shkak se të gjitha ofertat e paraqitura janë skualifikuar, procedura anulohet”.
Arsyeja e skualifikimit ka qenë se “ofertat nuk përputheshin me kriteret e përcaktuara”.
Epidemia e koronavirusit dhe gjendja e emergjencës ka bërë që qeveria të pezullojë prokurimet publike, kjo e bën të paqartë se çfarë do të ndodhë me tenderin.
Euronews raportoi duke cituar burime pranë qeverisë se tenderi u anulua prej kostos së lartë të modeleve parafabrikate dhe se procedura do të ribëhet duke ndryshuar aspektet teknike.
Portali i hapur për procesin e rindërtimit, mbetet “në fazë përditësimi” dhe ka më shumë se 1 muaj pa njoftuar lajme të reja, projektet apo planet e rindërtimit.
Tenderi prej 5,2 miliardë lekësh (rreth €43 milionë) ishte hapur më 10 mars.
Ai parashikonte rindërtimin e shtëpive në bashkitë Durrës, Kamëz, Kavajë, Rrogozhinë, Krujë, Kurbin, Lezhë, Mirditë, Shijak dhe Vorë.
Për këtë tender, autoritetet shtynë dy herë afatet e dorëzimit të dokumentave, fillimisht nga data 19 mars në 27 mars e më pas në një mbledhje qeverie, Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, u shpreh se do të kërkohej edhe 10 ditë të tjera.
Në fillim të muajit mars, Ministri Ahmetaj deklaroi se qeveria kishte ndarë 8,7 miliardë lekë fonde (rreth €72 milionë) për FSHZH dhe Bashkinë Tiranë, të cilat si njësi zbatuese do të rindërtonin rreth 3,400 shtëpi:
- FSHZH 2 500 shtëpi: 683 shtëpi 1+1, 972 shtëpi 1+2 dhe 845 shtëpi 1+3;
- Bashkia Tiranë 889 shtëpi: 312 shtëpi 1+1, 334 shtëpi 2+1 dhe 243 shtëpi 3+1;
Qeveria është zotuar që rreth 4 mijë familje të mbetura pa strehë për shkak të tërmetit, të presin vitin e ri 2021 në shtëpi të reja dhe cilësore.
Anulimi i tenderit, që parashikon ndërtimin e shumicës së banesave, mund të bëjë që ky premtim të mos mbahet.