Policia arrestoi të enjten Ilir Selmanin, i dyshuar për vrasjen e ish-policit Santiago Malko në gusht të vitit 2019.
Selmani, 35-vjeç, u arrestua në një apartament në rrugën Endri Keko, rreth 1 kilometër larg nga vendi ku u vra Malko.
Policia po punonte prej disa javësh për kapjen e tij, ndërsa në momentin e arrestimit i gjeti në banesë një pistoletë dhe disa fishekë.
Ndaj Ilir Selmanit, Gjykata e Shkallës së parë për Krimet e Rënda kishte vendosur masën e sigurisë arrest me burg, si i dyshuar për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.
Santiago Malko u vra mbrëmjen e 27 gushtit 2019 me një atentat të stilit mafioz.
Ai u qëllua teksa po dilte me makinë nga një lavazh në rrugën Xhanfize Keko.
Në vendin e vrasjes, policia gjeti rreth 10 gëzhoja, ndërsa makina që u përdor nga atentatorët u gjet e diegur në fshatin Ferraj, rreth 6.5 kilometra nga vendngjarja.
Deri në vitin 2014 Malko kishte qenë polic, por më pas ishte larguar nga detyra.
Ai njihej për shoqërinë me Ervis Martinajn, ky i fundit akuzuar për vrasje, armëmbajtje pa leje, falsifikim dokumentash, pastrim parash dhe evazion fiskal.