Illyrian Guard, kompania private në pronësi të Ministrisë së Brendshme, do të shpenzojë 1,6 milionë euro për të marrë me qira pajisje dhe sisteme alarmi për 4 vite. Mesatarisht, Illyrian Gard do të shpenzojë 400 mijë euro në vit për të paguar qiranë e tyre.
Për këtë, ajo ka hapur tenderin më 27 prill dhe pranon oferta deri më 15 maj.
Kjo shifër duket shumë e lartë po të kemi parasysh se pajisjet, në përfundim të kontratës, i kthehen kompanisë private dhe nuk i mbeten kompanisë së sigurisë fizike.
Po ashtu, ky tender po bëhet në një situatë të jashtëzakonshme pandemia, ku qeveria duhet të kishte në fokus mbështetjen financiare për qytetarët dhe bizneset e prekura nga kriza e Covid-19.
Më 1 prill, qeveria bllokoi dhe anulloi të gjitha tenderat e institucioneve shtetërore, përveç tenderave të lidhura me mbulimin e nevojave të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.
Por duket se Illyrian Guard, e cila është kompani private, megjithëse në pronësi të shtetit, lejohet të vazhdojë tenderimet.
Illyrian Guard u krijua në prill 2019 dhe është një firmë private sigurie në pronësi të shtetit që kujdeset për sigurimin fizik të pronave shtetërore.
Me krijimin e Illyrian Guard, qeveria Rama ka shtetëzuar në mënyrë de fakto pjesën më të madhe të sektorit të sigurisë fizike, duke e kthyer atë nga oligopol në një monopol shtetëror. Institucioneve shtetërore u kërkohet automatikisht që shërbimet e tyre të sigurisë fizike t’i jepen Illyrian Guard.