Universiteti i Harvard dhe Instituti Teknologjik i Masachusets do të padisin administratën e Presidentit të SHBA-ve Donald Trump në lidhje me vendimin e fundit, për ndalimin e studentëve të huaj në SHBA.
Presidenti i Universitetit të Harvard, Lawrence S. Bacow pohoi në një mesazh për komunitetin e universitetit se urdhri erdhi pa paralajmërim dhe se është krijuar me qëllim që të ushtrojë presion ndaj kolegjeve dhe universiteteve që të hapin klasat e tyre në kampus.
Të hënën, Agjencia Amerikane për Emigracionin dhe Doganat lajmëroi se studentët e huaj që po ndjekin shkollat, të cilat këtë shtator do të jenë vetëm online për shkak të Covid-19, nuk mund të hyjnë në SHBA, këtë vjeshtë.
Ndërkohë studentët e huaj, të cilët studiojnë në SHBA, me vizë studentore do të ndalohen të hyjnë në SHBA ose do t’i kërkohet të largohen nga SHBA-të.