Kandidati demokrat për president i SHBA-ve Joe Biden ka mbështetur njohjen reciproke dhe integritetin territorial mes Kosvës dhe Serbisë.
“Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila sjell njohjen reciproke, ruan sovranitetin dhe integritetin territorial të të dy vendeve si dhe përforcon institucionet e tyre demokratike, është thelbësore që Kosova dhe Serbia të ecin përpara. Ajo do të fuqizonte sigurinë dhe begatinë e të dy vendeve, do të përparonte aspiratën e tyre për anëtarësi në Bashkimin Europian dhe institucione të tjera shumëpalëshe, si dhe do të mbështeste vizionin e një Europe të plotë, të lirë dhe në paqe”, tha Joe Biden në një deklaratë dërguar gazetës shqiptaro-amerikane, “Illyria”, në New York.
Më poshtë deklarata e plotë:
Kam qenë një mbështetës i hershëm dhe i zëshëm i paqes dhe ripajtimit në Europën Juglindore, dhe vendimi nga kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq për të rifilluar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve është një hap vital përpara në këtë rajon kritik.
Një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e cila sjell njohjen reciproke, ruan sovranitetin dhe integritetin territorial të të dy vendeve si dhe përforcon institucionet e tyre demokratike, është thelbësore që Kosova dhe Serbia të ecin përpara. Ajo do të fuqizonte sigurinë dhe begatinë e të dy vendeve, do të përparonte aspiratën e tyre për anëtarësi në Bashkimin Europian dhe institucione të tjera shumëpalëshe, si dhe do të mbështeste vizionin e një Europe të plotë, të lirë dhe në paqe”
Arritja e këtij synimi kërkon bashkëpunim ndëratlantik. Historia na mëson se kur Shtetet e Bashkuara dhe Europa udhëheqin së bashku, mund t’u japim fund konflikteve dhe të hapim rrugën mundësive të reja për paqe dhe begati – në Europën Juglindore dhe përtej. Ky partneritet nuk ka qenë kurrë më i nevojshëm se sot dhe kërkon nga të gjitha palët që të punojmë së bashku drejt synimit tonë të përbashkët. Kërkon rolin udhëheqës amerikan dhe partneritet.
E megjithatë, Administrata Trump nuk arriti të koordinohet me të dërguarit e Bashkimit Europian — të cilët kanë ndërmjetësuar dialogun mes dy vendeve për gati një dekadë — kur organizoi takimin në Shtëpinë e Bardhë të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë muajin e kaluar. Ndërkohë që takimi në fund u anulua, mesazhi për partnerët tanë ishte i qartë dhe i fortë.
Shtetet e Bashkuara duhet të punojnë bashkë me partnerët tanë europianë dhe jo t’u kthejmë kurrizin. Kjo është shpresa jonë më e mirë për të siguruar një zgjidhje të qendrueshme që do t’ia hapte rrugën drejt një të ardhmeje më paqësore, më të begatë dhe europiane për të dy vendet.
U jap zemër udhëheqësve të Serbisë dhe Kosovës që të hyjnë në këto bisedime me frymën e kompromisit dhe të ripajtimit, duke e ditur që do të kenë mbështetjen e plotë të popullit amerikan.