BE ka ndaluar hyrjen e udhëtarëve nga Serbia dhe Mali i Zi për në BE, për shkak të numrave të lartë të të infektuarve me Covid-19, raporton Politico.eu. Por ky është thjesht një rekomandim, çfarë do të thotë se çdo vend do të vendosë vetë për vendet që do të lejohen ose jo.
Gjithashtu, BE ka vendosur të mos fusë në listën e vendeve që mund të udhëtojnë për në BE, asnjë vend të ri, çfarë do të thotë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund të udhetojnë drejt vendeve evropiane.
Pas marrëveshjes të arritur të martën nga diplomatët e BE-së, Presidenca gjermane e Këshillit të BE-së paraqiti një procedurë të shkruar. Dhe nëse asnjë nga vendet evropiane nuk e kundërshton, atëherë rifresikimi i listës do të bëhet të enjten.
Lista e parë e miratuar më 15 qershor nga KE përfshinte të gjitha vendet e BE-së plus Andorrën, San Marino dhe Vatikanin. Vendet që do të mbeten në listë janë Algjeria, Australia, Kanadaja, Gjeorgjia, Japonia, Maroku, Zelanda e Re, Ruanda, Korea e Jugut, Tajlanda, Tunizia, Uruguai, dhe Kina.