Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit Kombëtar ka protestuar të enjten para Prokurorisë Speciale, pasi dyshojnë se nuk po bëhen hetime për kallëzimet e bëra prej tyre për shembjen e teatrit.
AMT-ja ka paditur Ramën, Veliajn, Lleshajn, Veliun, Maznikun, drejtorët dhe këshilltarët e bashkisë dhe një sërë zyrtarësh të tjerë të lidhur me procesin e transferimit të pronës së Teatrit nga Ministria e Kulturës te Bashkia e Tiranës dhe më pas për shembjen e teatrit.
AMT akuzon zyrtarët e lartë për shpërdorim detyre, shkatërrim me dashje të pronës, shkatërrim të objekteve historike dhe kulturore.
Ata kanë paditur dhe kryebashkiakun Veliaj, nënkryetarin Mazniku, inxhinierët që kanë hartuar akt-ekpertizën, ministrin e Brendshëm Lleshaj dhe drejtorin e policisë Ardi Veliu, si dhe gjithë zyrtarët që kanë firmosur për shembjen e TK-së.
Prokurori i çështjes së TK-së është ngarkuar Ervin Kondilli, i cili ka sekuestruar dokumentet nga Bashkia Tiranë për procedurën e ndjekur për shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar dhe Teatrit Eksperimental “Kujtim Spahivogli” mëngjesin e 17 majit.