Senati Akademik i Universitetin e Tiranës vendosi të rikthejë në detyrë, zëvendës kryetaren e Senatit, Eliona Kulluri.
Në mbledhjen e zhvilluar të enjten, Senati e konsideroi të pavlefshëm vendimin e Rektorit të UT, Mynyr Koni për shkarkimin e e Kullurit si pedagoge.
Më herët, Senati e konsideroi të pavlefshëm vendimin e rektorit Mynyr Koni për shkarkimin e anëtarëve të Komisionit Institucional të Zgjedhjeve.
Më 6 maj, Universiteti i Tiranës shkarkoi nga detyra pesë pedagogët për shkelje të rregullores së zgjedhjeve për drejtuesit dhe Senatin Akadamik të UT-së.
Pedagogët ishin pjesë e Komisioni Institucional i Zgjedhjeve (KIZ) në Universitetin e Tiranës. Ata shpallën garën për postin e Rektorit dhe Anëtarit të Senatit Akademik, disa ditë pasi Kuvendi zgjati gjendjen e fatkeqësisë natyrore.
Siç Exit ka argumentuar më parë, Statuti i UT, nuk ja jep të drejtën Senatit Akademik të shqyrtojë vlefshërinë e akteve të Rektorit. Neni 31 i Statutit përcakton se kompetencat kryesore të Senatit shtrihen në mbarëvajtjen e UT, fakulteteve por nuk shprehet në asnjë gërmë se ai mund të shqyrtojë e më pas të vlerësojë aktet e nxjerra nga Rektori.
Statuti i Universitetit të Tiranës ja njeh kompetencën rektorit të largojë nga puna pedagogët, për shkelje të rënda, të cilat përfshijnë shkeljen e ligjit apo akteve nënligjore.
Vlefshmëria ose jo e vendimit të rektorit mund të vendoset vetëm nga gjykata—përsa kohë vendimi nuk është ankimuar dhe gjykata nuk ka vendosur, zonja Kullurit nuk mund të mbetet pedagogë dhe, për rrjedhojë, as anëtarë zëvendës kryetare e Senatit Akademik.