Komisioni i zgjedhjeve në UT kthehet në komision kaçak: shpall kandidatët për zgjedhjet e anulluara

Nga Alba Mborja
Komisioni i zgjedhjeve në UT kthehet në komision kaçak: shpall kandidatët për zgjedhjet e anulluara

Përplasja mes drejtuesve të Universitetit të Tiranës për zgjedhjet e reja të drejtuesve të universitetit është thelluar pasi komisioni i zgjedhjeve ka vendosur të shpallë listat e kandidatëve për këto pozicione.

Komisioni Institucional i Zgjedhjeve (KIZ) në Universitetin e Tiranës shpalli garën për postin e Rektorit dhe Anëtarit të Senatit Akademik, disa ditë pasi Kuvendi zgjati gjendjen e fatkeqësisë natyrore.

Ky vendim bie ndesh me Ligjin e Arsimit të Lartë dhe Rregulloren për Zgjedhjet në Universitet dhe Rektori Mynyr Koni kërkoi shtyrjen e tyre deri kur të rihapet universiteti.

Komisioni e kundërshtoi rektorin dhe, për këtë shkak, ai vendosi të largojë nga detyra pesë anëtarët e komisionit, me argumentin se kishin shkelur ligjin dhe rregulloren.

Ndërkohë, Ministrja e Arsimit vendosi të shtyjë zgjedhjet në universitete deri në rikthimin e studentëve në auditorë.

Por, në mënyrë të pashpjegueshme, anëtarët e komisionit të zgjedhjeve të UT-së e shpërfillën si vendimin e rektorit ashtu edhe te ministres së arsimit dhe vazhduan përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve: ditën e dielë, komisioni miratoi listën e kandidatëve për rektor dhe anëtarë të senatit skademik të Universitetit të Tiranës.

Ky vendimi, i miratuar në unanimitet, është  haptazi i paligjshëm jo vetëm sepse nuk ka zgjedhje të shpallura as nga ministria dhe as nga rektori, por edhe për dy arsye të rëndësishme.

Së pari, Rektori i Universitetit të Tiranës i ka larguar nga puna si pedagogë pesë nga anëtarët e këtij Komisioni, prandaj ata nuk mund të vazhdojnë të ushtrojnë detyrën e tyre në Komision.

Statuti i Universitetit të Tiranës ja njeh kompetencën rektorit të largojë nga puna pedagogët, për shkelje të rënda, të cilat përfshijnë shkeljen e ligjit apo akteve nënligjore.

Vlefshmëria ose jo e vendimit të rektorit mund të vendoset vetëm nga gjykata—përsa kohë vendimi nuk është ankimuar dhe gjykata nuk ka vendosur këta anëtarë nuk mund të mbeten pedagogë dhe, për rrjedhojë, as anëtarë të Komisionit.

Së dyti, komisionit të tanishëm i ka mbaruar mandati dhe nuk mund të organizojë zgjedhjet e ardhshme,

Rregullorja e Universitetit të Tiranës për zgjedhjet parashikon se pas caktimit të datës së zgjedhjeve nga Ministri i Arsimit, Rektori bën shpalljen e zgjedhjeve në Universitet.

Pas shpalljes, Senati Akademik zgjedh anëtarët e Komisionit Institucional të Zgjedhjeve, brenda tre ditëve. Më pas, KIZ zgjedh anëtarët e Komisionit të Zgjedhjeve në Fakultete. Mandati i anëtarëve të KIZ dhe KZF është katër vite.

Në Universitetin e Tiranës, Rektori nuk ka shpallur akoma zgjedhjet, Senati nuk ka zgjedhur KIZ-in e ri dhe as komisionet në fakultete.

Komisioni tashmë është kthyer në një institucion i dalë krejtësisht jashtë ligjit që vepron në mënyrë kaçake.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>