Agron Xhafaj ka deklaruar sot se do t’i dorëzohet policisë italiane për të kryer dënimin e marrë në vitin 2012 nga gjykata italiane. Vendimi i Agron Xhafajt i hap rrugë arrestimit të tij nga policia shqiptare.
Me anë të një letre publike, Agron Xhafaj shkruan se “do t’i drejtohet vetë autoriteteve italiane të drejtësisë për të ekzekutuar një vendim dënimi penal të tyre kundrejt meje.”
Ndër të tjera, Agron xhafaj pranon se ka qenë në dijeni të gjykimit dhe dënimit të tij në Itali:
“Unë jo vetëm që nuk i jam shmangur hetimit dhe gjykimit tim në këtë çështje, por përkundrazi, kam bërë të gjitha përpjekjet e mundshme për të qënë prezent në Itali gjatë hetimit dhe më pas gjatë gjykimit tim. Janë të plota dhe të dokumentuara të gjitha përpjekjet e mia në këtë drejtim.”
Por, ekstradimi i tij duhet të kryehet sipas procedurave të parashikuara me ligj.
Autoritetet italiane duhet të bëjnë kërkesë zyrtare pranë autoriteteve shqiptare për ekstradimin e Xhafajt në Itali.
Kërkesa nga Italia vlerësohet dhe gjykohet nga Ministria e Drejtësisë shqiptare dhe nga gjykata, e më pas miratohet ekstradimi drejt Italisë.
Siç Exit.al ka shpjeguar më parë, emri i Agron Xhafajt nuk është futur asnjëherë në listën e të kërkuarve në Itali dhe as në listën e Interpolit.
Po ashtu, deri më sot Italia nuk i ka paraqitur asnjëherë Shqipërisë kërkesë për ekstradimin e tij, ndërkohë që ajo u ka dërguar autoriteteve shqiptare kërkesë për ekstradimin e të gjithë anëtarëve të bandës të dënuar në Itali në të njejtin proces me Agron Xhafajn.
Mbetet për t’u sqaruar në Itali dhe ndoshta pjesërisht edhe në Shqipëri fakti se si është e mundur që një i dënuar i drejtësisë italiane, me vendim të formës së prerë, të mos jetë futur në listën e të kërkuarve, nuk është lajmëruar Interpoli dhe nuk është kërkuar burgimi i tij për të kryer dënimin.
Ndërsa për audio-përgjimin e bërë publik nga Partia Demokratike dy ditë më parë, Agron Xhafaj shkruan se:
“Pranë Prokurorisë, kam deklaruar e dhënë shpjegime konform ligjit, se audio e publikuar, përfshirë efektet zanore si dhe imazhet e sajuara janë false, dhe janë bërë publike në media me qëllim shantazhin dhe presionin ndaj meje e vëllait tim, Ministër i Brendshëm”.
Në orën 11:00, pritet dhe deklarata e Kryeministrit Edi Rama për ministrin Xhafaj dhe lidhjet kriminale të familjes së tij.