A mund të mbijetojë Rama pa LSI — Exit shpjegon

A mund të mbijetojë Rama pa LSI — Exit shpjegon

Në Kuvend ka pasur shumë lëvizje deputetësh, që prej zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013. Disa deputetë janë përjashtuar, janë ndarë, kanë humbur mandatin ose kanë votuar për parti kundërshtare.

Këto lëvizje kanë krijuar një panoramë të paqartë se si janë shpërndarë votat, sidomos kur e ardhmja e koalicionit PS-LSI duket se është në rrezik.

Pyetja kryesore që ngrihet është nëse mund të mbijetojë Kryeministri Edi Rama pa patur LSI-në në koalicion—nëse kjo e fundit do t’i bashkohet kërkesës së PD-së për qeveri teknike apo nëse vendos të dalë e vetme në zgjedhje.

Exit.al ka përgatitur një pamje të përgjithshme ku përfshihet rezultati i zgjedhjeve të vitit 2013 dhe ndarja aktuale e vendeve në Kuvend ndërmjet shumicës dhe pakicës.

Rezultati fillestar i zgjedhjeve

Më poshtë paraqitet grafikisht ndarja e vendeve bazuar në rezultatin fillestar të zgjedhjeve të përgjithshme 2013. Ka dy koalicione të mëdha: Aleanca për Shqipërinë Evropiane ku bënë pjesë PS, LSI, PBDNJ dhe PKD, dhe Aleanca për Punësimi, Mirëqënie dhe Integrim ku bënë pjesë PD, PR dhe PDIU.

Ndarja aktuale

Kanë ndodhur dy shkëmbime të mëdha. PBDNJ është larguar nga koalicioni qeverisës, ndërsa PDIU është bashkuar me qeverinë. Disa nga deputetët e PS kanë kaluar tek LSI, dhe disa nga deputetët e PD-së kanë kaluar tek PDIU. Dy deputetët të PS janë larguar nga PS dhe kanë krijuar partinë Libra.

Ashtu sikurse mund të mësohet nga skema më poshtë, qeveria aktuale ka një shumicë prej 84 deputetësh nga 140 të mundshëm, përfshirë votat e Tom Doshit — të përjashtuar nga grupi parlamentar i PS, por që sërish voton për PS, Edmond Zejno voton me PDIU-në— zëvendësoi Dashamir Tahirin, i cili u largua nga PDIU pasi kjo e fundit u bashkua me qeverinë.

Dy anëtarët e Partisë Libra, Ben Blushi dhe Mimoza Hafizi kanë kundërshtuar qeverinë në disa raste, por nuk i janë bashkuar protestës së opozitës dhe bojkotit të zgjedhjeve.

Partia Republikane për të formuar grup parlamentar ka marrë “borxh” tre deputet nga PD. Deputeti i PR Agron Duka ka formuar partinë e tij, Partia Agrare Ambientaliste (PAA). PD gjithashtu i ka dhënë një nga mandatet e saj PDK-së. Të gjithë këto janë të bashkuar në bllokun opozitar.

Libra, PKD, PBDNJ dhe PDK nuk ekzistojnë si grupe parlamentare të veçanta.

Deputeti Armando Prenga, i prekur nga ligji i dekriminalizmit ka dorëzuar mandatin e deputetit. Kastriot Piroli, emri i fundit në listën e PS-së në Lezhë, preket gjithashtu nga ligji i dekriminalizmit dhe nuk mund të marrë mandatin e deputetit.

Duke qenë se PS ka mbaruar listën e kandidatëve për qarkun e Lezhës, mandati i Prengës pritet t’i shkojë Erisa Zaimit të LSI. Deri më tani asnjë zëvendësim nuk ka ndodhur ndaj mbetet e paqartë se kush do të marrë vendin e Prengës.

Për më shumë, deputeti Mhill Fufi, i zgjedhur nga lista e PD-së por i regjistuar pastaj si pjesë e grupit parlamentar të PR-së, tani voton për PS-në. Fufi aktualisht është nën hetim nga Prokuroria e Përgjithshme për deklarim të rremë në formularin e dekriminalizimit. Nëse atij do t’i hiqet mandati njësoj si Prenga, vendin e tij do ta zërë një anëtar i opozitës.

Çfarë ndodh nëse LSI largohet?

Nëse Zaimi zëvendëson Prengën, në vend të Fufit vjen një deputet i ri i PD dhe LSI largohet nga koalicioni, Kryeministri Rama do të mbetet me dy deputet më pak se sa kufiri i domosdoshëm prej 71 deputetësh.

Kjo do të thotë se kryeministri duhet të gjejë dy deputetë në një parti tjetër, me shumë mundësi anëtarë të zemëruar të opozitës. Në radhët e opozitës ka zëra të pakënaqur me drejtimin e PD-së, si deputetët Majlinda Bregu dhe Eduard Selami. Zoti Selami disa kohë më parë është shprehur se kryetari i PD-së Lulzim Basha “nuk frymëzon dhe nuk ngjall shpresë”. Të dy kanë dalë hapur dhe kanë votuar në thyerje të qëndrimeve të vendosura nga udhëheqësia e PD-së.

Bazuar në zgjedhjet e 2013-ës, koalicioni PS, PDIU, PKD dhe një grusht partish të vogla, do t’i mundësonin Kryeministrit Rama 70 deputetet. Vetëm një përmirësim i vogël në rezultatin e zgjedhjeve të ardhshme do t’i siguronte Zotit Rama një qeveri pa Ilir Metën. Ky përmirësim nuk duket i pamundur, duke marrë parasysh forcimin e PDIU-së, dhe faktin që Rama po hyn në zgjedhje nga pozicioni i atij që ka pushtetin.

Me fjalë të tjera, duket se ka një mundësi, megjithëse të vogël, që qeveria e Ramës të mbijetojë para dhe pas zgjedhjeve pa LSI-në.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>